Edhe pse kanë kaluar 8 ditë nga tërmeti që mori dhjetëra jetë njerëzish, banorët në Durrës ankohen se grupi i ekspertëve nuk ka shkuar ende për të parë pasojat e lëkundjes 6.3 ballë në banesat e tyre.
E frikësuar për jetën, Dallëndyshe Lila, banore në lagjen nr.3 të qytetit kërkon nga autoritetet që të shkojnë për të vlerësuar nëse shtëpia e saj është e jetueshme dhe e sigurt.
Ajo thotë për "DurrësLajm", se deri më tani nuk kanë asnjë kujdes nga bashkia dhe se prej disa ditësh kanë braktisur shtëpinë e tyre pasi ndihen të rrezikuar.
Fillimisht, familja tre anëtarëshe është strehuar te xhamia e Durrësit, ndërsa tani janë akomoduar në një hotel në zonën e Golemit.
"Këtu nuk kanë ardhur dhe ne jemi në rrezik për jetën, askush nuk do t’ia dijë për ne. Familja ime përbëhet prej 3 anëtarësh. Jemi të sëmurë, jemi të shokuar e të tronditur. Tavani ka marrë hark, kemi frikë të hyjmë brenda. Këto të bashkisë nuk kanë ardhur dhe s’janë interesuar për ne", thotë ajo.
Por krahas tavanit që mund të shkëputet nga momenti në moment, Dallendyshja thotë se banesa e saj njëkatëshe rrezikohet nga godina e amortizuar ngjitur, një dykatëshe e pabanuar me plasaritje të dukshme.





