Dy ditë më parë dy gra humbën jetën në një stacion autobusi në rrugën që shërben si unazë në ish-Kënetë. Gratë u përplasën sapo zbritën nga urbani, nga një automjet teksa do kalonin në anën tjetër të rrugës ku kishin edhe shtëpinë e tyre.
Stacioni i autobusit është në mendjen e banorëve që kanë nevojë për të, sepse asnjë sinjal nuk të tregon se aty gjendet një stacion autobusi.
"Kemi pasur shumë raste aksidentesh. Makinat kalojnë shumë shpejt dhe shumica e fëmijëve kalojnë këtu dhe rreziku është i lartë", tha një banor.
"E mira është që të bëhet një mbikalim që të kalojmë ne sepse janë fëmijët është shkolla këtu, dhe këtu çdo ditë mund të humbasë një jetë", thotë një tjetër.
"Çdo ditë këtu kalojnë rreth 500 fëmijë. Këtu kalojnë makina dhe me 150 km/h dhe do t’i bëja thirrje të gjithë pushtetarëve që të shpëtojnë jetë duke i bërë dhuratë fëmijëve dhe komunitetit një mbikalim."
Problematika e krijuar nga mungesa e mbikalimit është ngritur shpesh nga banorë të zonës por situata që kanos jetët e fëmijëve në rrugën që përshkon mespërmes ish-Kënetën dhe lidh autostradën Tiranë Durrës, mbetet e njëjtë.
Banorët prej vitesh protestojnë për të siguruar kushtet e një rruge normale por deri tani nuk ka asnjë ndërhyrje qoftë edhe në ndërtimin e stacioneve të autobusëve.
K.H.





