Startoi sot në Durrës Kampionati Mbarëkombëtar i Futbollit për U-15. Pjesëmarrës përveç ekipit të të rinjve të Teutës ishin edhe skuadrat e futbollit nga Peja, Tetova dhe Bujanovci në Serbi. 

Pas një shkëputjeje për shkak të pandemisë, aspirantët për futbollistë të ardhshëm u mblodhën në Durrës për të garuar mes tyre dhe përzgjedhur ekipin më të mirë të turneut. Masat kufizuese për shkak të pandemisë u bënë pengesë për pjesëmarrjen e ekipit përfaqësues nga Mali i Zi.

Të lumtur që u bënë pjesë e këtij kampionati mbarëkombëtar futbolli, që fillimet e tij i ka në vitin 2003, përfaqësues të ekipeve U-15 thanë për “DurrësLajm” se shpresojnë të shpallen më të mirët e turneut dhe pse jo të lidhin edhe miqësi të reja me bashkëmoshatarët e tyre nga trevat shqiptare.

Ndërkohë, trajneri i ekipit të Bujanovcit. Valon Ramadani, tha për “DurrësLajm” se aktivitete të këtij lloji u shërbejnë futbollistëve të rinj jo vetëm për të nxjerrë në pah talentin e tyre në fushën e blertë, por edhe për të krijuar kontakte me bashkëmoshatarët e tyre.

Drejtori i Qendrës Kulturore të Fëmijëve Durrës, Avni Çuni, gjatë fjalës së rastit, i konsideroi adoleshentët pjesëmarrës në këtë kampionat futbolli, si ambasadorët më të mirë të vendeve të tyre.

Kampionati Mbarëkombëtar i Futbollit U-15 do të zhvillohet për 2 ditë me radhë në qytetin e Durrësit. Ekipet do të përballen në ndeshje me eleminim direkt për të shpallur në fund fituesin e turneut futbollistik.

M.B.