Shoqëria shqiptare është e hapur? Përkundrazi. Ajo është me komplekse dhe e keqinformuar seksualisht.

“Dinamika familjare është ajo që ne na jep shumë informacion për sa i përket erotizmit, seksualitetit në përgjithësi. Nga ajo lloj dinamike familjare kemi të mbartur shumë keqformime dhe shtrembërime të informacionit dhe të mënyrës se si na janë përcjell ndjenjat në përgjithësi”, shprehet për “Top Channel”, Denada Toçe, psikologe.

“Të gjithë kanë komplekse. Komplekse kanë pasur gjyshërit, stërgjyshërit tanë, ato trashëgohen nëpërmjet mënyrës se si i qasemi problemit të erotizmit”, thotë Edmond Tupja.

Por, seksi nuk rezulton të jetë tabu në gjithë hartën e Shqipërisë. 

“Varet nga zonat, për shembull në kryeqytet ka më shumë informacion. Kjo edukatë duhet të bëhet sidomos nëpër rrethe”, vijoi Tupja.

Ekspertët pohojnë se mosinformimi seksual mund të shkojë deri në mosnjohjen e trupit tonë. 

“I druhemi ndjesive që kemi. Frikësohemi, kemi fobi ndaj seksualitetit tonë. Kemi fobi ndaj asaj që është e vërtetë”, thotë Toçe.

“Dikush nuk e dinte ç’ishte klitori për shembull”, tregon një rast Edmond Tupja.

Alarmi i psikologëve është se 25 vjet pas hapjes së Shqipërisë, ende nuk ka asnjë studim kushtuar informimit seksual. 

“Shqipëria e meriton për tranzicionin që po kalon të jetë një studim i mirëfilltë për sa i përket njohjes së seksualitetit, por kërkon edhe një metodologji që duhet shtrirë nga profesionistë që janë njohës shumë të mirë”, vijoi psikologja Toçe.

Marrë nga “Top Channel”