28 mars 2014 – Jens Stoltenberg, ish-Kryeministër i Norvegjisë do të jetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s duke zëvendësuar në këtë post, kreun aktual të Aleancës, Anders Fogh Rasmussen. Ai do të marrë detyrën në krye të Aleancës ushtarake në tetor të këtij viti, muaj kur Rasmussen përfundon mandatin e tij prej pesë vitesh në krye të NATO-s. Vendimi për të zgjedhur Jens Stoltenberg u mor nga Këshilli i Aleancës. Në komunikatën e shpërndarë pasditen e së premtes aty thuhej: “Këshilli vendosi të emërojë zotin Jens Stoltenberg në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, duke pasuar Anders Fogh Rasmussen”

Stoltenberg ka mbajtur postin e Kryeministrit të Norvegjisë dy herë. Fillimisht për 18 muaj në vitet 2000-2001 e më pas nga 2005 deri në 2013. Pikërisht nën drejtimin e tij u ndërmor sulmi me bombë dhe armë i Anders Breivik në vitin 2011.
Rasmussen komentoi në rrjetin social Twitter se Stoltenberg është njeriu i duhur në krye të Aleancës së Atlantikut Verior. Ai tha se kriza Ukrainase dëshmoi nevojën që NATO të tregojë fuqi dhe vendosmëri në lidership, ndërsa shprehu shqetësimin për zhvendosjen masive të trupave ruse në kufi me Ukrainën. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/