Duket se 2015 ka qenë një vit i zymtë për Jenson Button, si në aspektin sportiv, ashtu dhe në atë personal.
Piloti britanik, nëpërmjet përfaqësuesit të tij bëri të ditur ndarjen nga bashkëshortja e tij, Jessica Michibata, pas një viti martesë. Përpara se të njihej me modelen japoneze, në vitin 2008, Button kishte famën e një “play boy” të vërtetë, por bukuroshja Jessica e ndryshoi tërësisht në këtë aspekt 35-vjeçarin, duke e bërë një person më të pjekur.
Në vitin 2009 Button u shpall kampion bote në Formula 1 dhe fotot e festës së tij me Michibatën bënë xhiron e botës. Çifti Button-Michibata u martua me një ceremoni tipike hauajane dhe të dy kanë qenë bashkë në çdo udhëtim të bërë, në vendet ku zhvilloheshin garat e Formulës 1.
Gjithçka dukej perfekte mes tyre, ndaj dhe ndarja rezultoi një surprizë e vërtetë.
“Button dhe Jessica kërkuan t’i japin më shumë kohë lidhjes së tyre dhe vendosën që të merrnin rrugë të ndara. Kjo është një ndarje e bërë në mënyrë miqësore”, deklaroi zëdhënësi i pilotit të McLarenit për median britanike. Mendohet se ndarja ka ardhur si pasojë e impenjimeve në punë të çiftit.