TIRANË, 21 prill 2013- Pas dorëheqjeve të njëpasnjëshme të dy anëtarëve të propozuar nga opozita Denar Biba dhe Albana Shtylla, jep dorëheqjen, anëtari i KQZ-së Jani Jani, i propozuar nga PBDNJ. 

Në letrën e dorëheqjes drejtuar KQZ-së, për dijeni dhe të Kuvendit të Shqipërisë theksohet se "vendimi vjen në shenjë solidariteti me kolegët Muho, Biba e Shtylla". 

Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba dhe anëtarja Albana Shtylla u tërhoqën nga detyra pas miratimit nga maxhoranca të kërkesës së saj për zëvendësimin e anëtarit të propozuar nga LSI, Ilirian Muho. 

Të enjten Jani Jani deklaroi ngrirjen e veprimtarisë së tij në KQZ, ndërkohë që sot anëtari i tretë i opozitës, dha dorëheqjen duke e vënë KQZ në një situatë të vështirë për funksionimin e saj.

LETRA E PLOTE

Doreheqje nga detyra e Anetarit te KQZ 

Drejtuar: Znj.Lefteri Lleshi (Luzi) 

Kryetare e Komisionit Qendror te Zgjedhjeve 

Per dijeni: Kuvendit te Republikes se Shqiperise 
E nderuara znj. Kryetare,

Pergjate gjithe karieres time profesionale jam munduar me korrektesi dhe moral te kryej punen dhe detyrimet ndaj institucionit. Po te njejten gje kam bere edhe ne pozicionin, jo aq te lehte per mua, te anetarit te KQZ-se. 

Une dhe koleget e mi u betuam para Kuvendit te Republikes se Shqiperise ne nderin tone per realizimin e zgjedhjeve te drejta, te lira dhe demokratike. Dhe kete gje, besoj se e kemi bere deri me sot te pandikuar nga askush, vecse nga germa dhe fryma e ligjit. 

Por zhvillimet e dhjetediteshit te fundit brenda e jashte KQZ-se, nga njera ane ku njeri prej anetareve u shkarkua nga Kuvendi dhe dy te tjere dhane doreheqje per shkak te cenimit te integritetit, pavaresise dhe ushtrimit te mandatit te anetarit si edhe vazhdimin e situates dhe mungesen e nje reflektimi real dhe te dukshem nga politika dhe nga ana tjeter pamundesia per te mos qene indiferent edhe ndaj asaj qe eshte nenvizuar ne raportin e Departamentit te Shtetit per “institucione shteterore skajshmerisht te politizuara perfshi edhe KQZ-ne, po minojne te drejtat e qytetareve per te marre pjese ne qeverisje”, me imponojne te jape edhe une doreheqjen nga detyra e anetarit te Komisionit Qendror te Zgjedhjeve. 

Punen dhe perkushtimin e derisotshem ne zbatimin e Kodit Zgjedhor dhe ne realizimin e zgjedhjeve te lira, te drejta dhe te pakontesueshme jua le ne gjykimin e qytetareve dhe strukturave institucionale. 

Me respekt 
Jani Jani