Nuk ka rezistuar shumë gjatë në post drejtori i Burimeve Njerëzore në bashkinë e Durrësit, Patriot Beqaraj. Beqaraj e mori detyrën në muajin shkurt, ndërkohë që dy ditë më parë mësohet se ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme. 

Bashkia e Durrësit ka hapur konkursin dhe ka publikuar kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët e interesuar, si dhe datat e zhvillimit të konkursit.

https://www.durres.gov.al/images/Shpallje_Drejtor_i_Drejtorise_se_Burimeve_Njerezore__ne_Bashkine_Durres.pdf)

Kujtojmë se që nga shtatori i vitit të kaluar, posti i drejtorit të Burimeve Njerëzore në bashkinë e Durrësit ka kaluar nëpër shumë duar. 

Pas 12 vitesh në këtë post të drejtoreshës historike Drita Zeneli, e cila dha dorëheqjen në shtator 2019, në krye të Burimeve Njerëzore u komandua Ersenta Ferra.

Në muajin nëntor, pas konkursit të zhvilluar, kandidatja fituese u shpall Irena Shkarpa. Shkarpa qëndroi vetëm pak javë në detyrë, pasi dha dorëheqjen menjëherë pas dorëheqjes së ish-kryebashkiakes Valbona Sako.

Bashkia shpalli sërish konkurs dhe fitues u shpall Patriot Beqaraj, që ka mbajtur për ca kohë postin e Drejtorit Rajonal të Kulturës Kombëtare Durrës.

Pas rreth 4 muajsh në post, Beqaraj dha dorëheqjen dhe deri në shpalljen e fituesit të konkursit në këtë post nuk dihet ende se kush do të komandohet në krye të kësaj drejtorie.

M.B.