Nënkryetari i bashkisë Durrës, Florian Tahiri, ka dhënë dorëheqjen nga posti.
Lëvizja e papritur ka ndodhur ditën e sotme duke regjistruar kështu një efekt surprizë për të gjitha vartësit, me të cilët Tahiri ka punuar për vite me radhë në institucionin e qeverisjes vendore.
“DurrësLajm” mëson se pasi ka dorëzuar dorëheqjen, nënkryetari Tahiri ka takuar të gjithë bashkëpunëtorët dhe personelin e bashkisë duke u uruar suksese në punën e tyre. Gjesti në fjalë tregon një akt qytetarie, ashtu siç edhe ka qenë profili i Tahirit gjatë këtyre 5 viteve në një nga postet më të rëndësishme të pushtetit vendor në Durrës.
Ajo që e bën edhe më surprizuese dorëheqjen e nënkryetarit të bashkisë Durrës është fakti se ai do të përfshihet në listën e kandidatëve të koalicionit “Aleanca për ndryshim”.
Pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të qarkut Durrës, nën siglën e koalicionit të Lulzim Bashës, Tahiri është një vlerë e shtuar për qytetarinë durrsake dhe komunitetin çam. Ai është njëkohësisht kryetar i shoqatës “Çamëria” në Durrës.
Me rreshtimin e tij përkrah të djathtës shqiptare, Tahiri synon që bashkë me ekipin e kandidatëve të tjerë në listë për deputetë të japë kontribut për fitoren e PD-së në qarkun ku 4 vite më parë forca më e madhe opozitare regjistroi një humbje historike.
I emëruar në bashki në shkurt të vitit 2016, Florian Tahiri, erdhi në këtë post nga radhët e PDIU-së, forcë politike në të cilën aderon prej vitesh.
I diplomuar jashtë shtetit, me një diplomë në Shkenca Ekonomike nga universiteti i Milano-Bicocca, Itali dhe më pas një master shkencor për Biznes dhe Ekonomi në universitetin Uppsala, Suedi, 35-vjeçari Tahiri ka treguar në gjithë këto vite profilin e një intelektuali pranë halleve dhe problemeve të qytetarëve, sidomos dy vitet e fundit kur qyteti bregdetar u godit rëndë fillimisht nga tërmeti dhe më pas nga pandemia.
Me një CV të pasur, ku bie në sy edhe karriera akademike, Tahirit iu besua në moshë të re posti i rëndësishëm në administratën bashkiake, ku spikati për përkushtimin për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve dhe dhënë zgjidhje problemeve të tyre.





