ISIS po planifikon të helmojë depozitat hidrike të Turqisë. Alarmi u dha nga shërbimet sekrete turke, të cilat përmes një raporti të klasifikuar si sekret, pretendojnë se i ashtuquajturi Shteti Islamik ka kryer sulme të tilla bakterologjike në Irak dhe Siri.
Sipas gazetës turke Zaman, në këtë raport shkruhet se ekstremistët e ISIS-it po përpiqen të përhapin disa lloje bakteresh nëpërmjet ujit të pijshëm. Më i rëndësishmi është bakteri që shkakton sëmundjen e tularemisë, e njohur ndryshe si “ethet e lepurit”.
Sipas specialistëve, një epidemi e tillë është e vështirë për t'u diagnostikuar, pasi shfaq shenjat e një gripi të zakonshëm, si temperatura e lartë apo gjendja e dobësisë.
Autoritetet turke janë vënë në gjendje emergjence pas këtij informacioni.