Jepnin para me fajde në dy pikat e tyre “Exchange” në Tiranë dhe Gjirokastër, prokurporia vendore merr nën akuzë edhe për “fshehje të të ardhurave” 4 të dyshuarit, dy prej tyre vëllezër, së bashku me dy djemtë.

Policia arrestoi dje 3 prej tyre, banues në Lazarat, ndërsa shpalli në kërkim një të katërt, teksa sekuestroi dokumente dhe shuma të konsiderueshme në lekë dhe valutë.

Operacioni u kodua “Trace the flow”.

“Nga 2 subjektet dhe nga banesat e këtyre shtetasve, u sekuestruan: 26 963 200 lekë, 132 760 euro, 42 596 dollarë amerikanë, 8 780 paunde, 10 380 franga, 3145 dollarë kanadezë, 85 720 lira turke, 18 blloqe me shënime, 6 kompjuterë, 6 celularë dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë vijimit të hetimit”, sqaroi policia.

Prokuroria dha edhe njoftim zyrtar sot për hetimin e kryer.

Aksioni erdhi si rezultat i një hetimi disamujor, të ndjekur me metoda speciale, në drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, për provimin e një rasti të pastrimit të parave me burime të dyshimta, nëpërmjet huadhënies së tyre, me përqindje të lartë fitimi, si dhe nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiar.

“Gjatë operacionit u vunë në pranga shtetasi R. K., 56 vjeç, vëllai i tij, shtetasi L. K., 59 vjeç, si dhe djali i 59-vjeçarit, shtetasi P. K., 28 vjeç, si dhe u shpall në kërkim djali i 56-vjeçarit, shtetasi B. K., 27 vjeç, të katërt banues në fshatin Kordhocë, Lazarat”, bëri me dije policia.

Nga hetimet dyshohet se nëpërmjet 2 subjekteve “Exchange” në pronësi të 56-vjeçarit, në Gjirokastër dhe në Tiranë, 4 familjarët jepnin me fajde, para të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale. Punohet intensivisht për kapjen e 27-vjeçarit.

Prokuroria dha edhe detaje për sekuestrimet e kryera në banesën dhe dyqanet e secilit për anëtarëve të fisit nga Lazarati, teksa do bëhet edhe dërgimi i tyre në Gjykatë për masë sigurie.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë Gjirokastër për hetimin:

“Dyshime për ‘Fshehje të të ardhurave’, Prokuroria Gjirokastër lëshon urdhra ndalimi për katër persona, sekuestrohen para, euro, paund, dollarë e franga

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjirokastër, lëshoi katër urdhra ndalimi për shtetasit R.K., L.K., P.K., dhe B.K., për veprën penale ‘Fshehja e të ardhurave’ parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal.

Pas një hetimi me metoda speciale dhe proaktive, në kuadër të procedimit penal nr.235 të vitit 2025, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, i është drejtuar me kërkesë për kontrollin e vendeve Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër e cila është miratuar, për kontrollin e dy pikave të këmbimit valutor me adresë në qytetin e Gjirokastrës dhe qytetin e Tiranës.

Nga kontrolli i ushtruar në njësinë e këmbimit valutor në qytetin e Tiranës në pronësi të shtetasit R.K., u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

-13.470.000 (trembëdhjetë milion e katërqin e shtatëdhjetë mijë) Lekë,

-40.895 (dyzetëmijë e tetëqind e nëntëdhjetë e pesë) Euro,

-8.780 (tetëmijë e shtatëqind etetëdhjetë) Paund,

-9.922 (nëntëmijë e nëntëqind e njëzetë e dy) Dollar Amerikan,

-10.380 (dhjetëmijë e treqind e tetëdhjetë) Franga,

-3.145 (tremijë e njëqind e dyzetë e pesë) Dollar Kanadez,

-85.720 (tetëdhjetë e pesë mijë e shtëtaqind e njëzetë) Lira,

-1 pajisje DVR

-2 blloqe shënimesh

Nga kontrolli i ushtruar po ashtu në banesën e shtetasit R.K. u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

-20.000 (njëzetëmijë) Dollarë Amerikan.

Nga kontrolli i ushtruar në njësinë e këmbimit valutor në qytetin e Gjirokastrës në pronësi të shtetasit L.K., janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

-13.443.200 (trembëdhjetë milion e katërqind e dyzet e tremijë e dyqind) Lekë;

-91.865 (nëntëdhjetë e një mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e pesë) Euro;

-7.965 (shtatëmijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e pesë) Paund;

-12.674 (dymbëdhjetë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e katër) Dollar Amerikan; dhe

-5 pajisje elektronike “Kompjuter”

Nga kontrolli i ushtruar po ashtu në banesën e shtetasit L.K u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

-90 (nëntëdhjetë) Dollar Amerikan;

-3.580 (tremijë e pesëqind e tetëdhjetë) Euro; dhe

-118.500 (njëqind e tetëmbëdhjetë mijë e pësëqind) Lekë

Ndërkohë, po vijohet me veprimet e tjera proçedurale në kuadër të këtij procedimi penal”.