Një sfidë nga ato që përballohen me qetësi ekuilibër dhe vendosmëri. Kështu e ka marrë rektorja Jera Kruja, emërimin e saj në krye të Universitetit të Mjekësisë të cilit i përket me kohë të plotë prej të paktën 30 vjetësh. Është e para femër që do të drejtojë një Institucion të Arsimit të Lartë Publik. Dy muaj pas detyrës së re, duket se një pjesë e mirë e gjërave janë vënë në vijë. “Tani kemi diçka për të thënë”, thotë ajo pas refuzimesh të vazhdueshme për të folur në media nën petkun e rektores. Në intervistën e saj për gazetën, tregon si po kristalizohen të gjitha qelizat e Universitetit të ri, risitë që do të vijnë për studentët dhe objektivat për të merituar përkufizimin “elitar” në institucionin që ajo drejton.
Keni rreth 2 muaj që jeni zgjedhur rektorja e Universitetit më të ri në aspektin administrativ, por ndër më të vjetrit sa u përket brezave të mjekëve që kanë dalë nga auditorët e tij, ndonëse në statusin e fakultetit, çfarë do të jetë ndryshe tani?
Si e thoni edhe ju, është një organizim i ri i strukturave ekzistuese dhe historike të inkuadruara kryesisht në edukimin akademik të mjekëve, stomatologëve, farmacistëve, infermierëve etj. Statusi i Universitetit të Mjekësisë synon në një menaxhim më të mirë të strukturave ekzistuese dhe krijimin e strukturave të reja me një mision të përbashkët: formimin sa më të plotë, bashkëkohor, profesional e akademik, të studentëve në pesë fakultetet e këtij universiteti, me qëllim përmirësimin e gjithë shërbimit mjekësor në vend.
Ju jeni prej mbi 30 vjetësh pjesë e stafit të pedagogëve të Mjekësisë, i dini me detaje problemet më të mprehta të tij. Ku mendoni se duhet ndërhyrë në mënyrë emergjente?
Si pjesë e pandarë e këtij stafi, si pasardhëse e disa brezave të nderuar profesorësh e pedagogësh të talentuar të Fakultetit të Mjekësisë, kam fatin të trashëgoj një eksperiencë pune të larmishme e shumë të vlerësuar. Nga ana tjetër, evoluimi i pandërprerë i procesit të edukimit në fushat mjekësore në shkallë ndërkombëtare, na detyron në vazhdimësi të rishohim kurrikulat ekzistuese dhe të krijojmë edhe kurrikula të tjera me qëllim final njësimin e diplomave tona me ato të vendeve të zhvilluara.
Cilat janë ndryshimet që janë bërë në këtë institucion të arsimit të lartë gjatë këtyre javëve, pasi keni marrë drejtimin e tij?
Universiteti i Mjekësisë Tiranë, njihet si i tillë nga data 23 janar 2013, në bazë të vendimit nr. 48 të Këshillit të Ministrave. Emërimi im si rektore u bë disa ditë më vonë me dekret të Presidentit Nishani. Në këto pak javë punë, është vizatuar mirë ndarja në 5 fakultete: Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Mjekësisë Dentare, Fakulteti i Farmacisë, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike dhe Fakulteti i Shëndetit Publik. Janë emëruar tre dekanët e fakulteteve të reja, prof. Ruzhdie Qafmolla, prof. Besnik Jucja dhe prof. Eduard Kakarriqi, që u shtohen dy dekanëve ekzistues, prof. Bajram Hysës dhe prof. Petrit Barës. Janë emëruar edhe tre zëvendësrektorët: prof. Polikron Pulluqi, prof.asc. Arben Beqiri dhe prof.asc. Suela Kellici. Është punuar mbi organigramën e universitetit, duke formuar drejtoritë e një administrate të re, të bazuar në një përzgjedhje të kandidatëve me moshë të re dhe me nivel të lartë shkollimi dhe profesional. Po punohet për krijimin e Senatit dhe të Këshillit të Administrimit. Paralelisht po diskutohet statuti, rregullorja dhe buxheti i institucionit.
Mjekësia është një shkencë që evoluon. A marrin sot studentët tanë mjaftueshëm dije në auditorët e shkollës, flas në lidhje me metodat e mësimdhënies, literaturën që ofrohet dhe a ka vend për përmirësim në këtë aspekt?
Qëllimi ynë është të zgjerojmë kufijtë e dijeve. Ky qëllim i bën universitetet institucione kyç për përtëritje dhe ndryshim. Dy nga sfidat tona të rëndësishme do të jenë vazhdimi i punës për përpilimin e kurrikulave ndërkombëtare, si edhe zhvillimi i sistemit të sofistikuar të informatizimit, me qëllim adaptimin e metodologjive të mësimdhënies me profilin e studentit. Gjithashtu do t’i kushtohet rëndësi e veçantë cilësisë së teksteve mësimorë, botimeve të zgjedhura të traktateve të huaja më të njohura, abonimit në revista, përdorimit të literaturës online. Studentët e Universitetit të Mjekësisë kanë veçantinë që të përballen me të sëmurin gjatë viteve të tyre të shkollimit. Kryerja e procedurave teknike mjekësore duhet të jetë patjetër pjesë e edukimit të tyre profesional. Përfshirja më e gjerë në këtë proces edhe e spitaleve universitare, do të sigurojë rritjen e cilësisë së formimit profesional të studentëve tanë.
Jeni e para rektore femër në universitetet shqiptare, çfarë do të thotë për ju ky fakt?
Që në ditët e para të emërimit, pati shumë kolegë që e vunë në dukje këtë të veçantë të emërimit tim. Në të vërtetë, nuk e kisha menduar më parë se nuk ka pasur asnjë grua që të drejtojë një universitetet apo të paktën Fakultetin e Mjekësisë. Ndjesia është e përzier, edhe kënaqësi, edhe një shije e hidhur për vlerësimin jo në nivelin e duhur të kolegeve pedagoge ndër vite.
Përpara se të merrni këtë pozicion, ju keni qenë edhe shefe e Shërbimit të Neurologjisë prej të paktën 16 vjetësh, do të vazhdoni ta kryeni këtë funksion?
Paralelisht me punën time si pedagoge, punoj prej 33 vjetësh si neurologe, prej më se 16 vjetësh si shefe, në fillim e Klinikës Universitare të Neurologjisë e më pas e Shërbimit Universitar të Neurologjisë në QSUT “Nënë Tereza” Tiranë. Në punën e pedagogëve të Fakultetit të Mjekësisë kjo ndërthurje e funksioneve ka qenë gjithnjë e natyrshme, për këtë arsye nuk mendoj se do të përbëjë problem funksioni i ri në të ardhmen.
Pas emërimit vjen dhe reflektimi e objektivat si drejtuese e një universiteti elitar, siç është ai i shkencave mjekësore, mund të na thoni cili është më i rëndësishmi që ju keni vendosur?
Qenia në krye të një institucioni elitar, rrit detyrimin për të vlerësuar cilësinë, aftësinë, ndershmërinë, transparencën, thjeshtësinë e drejtësinë, në lidhje me rregullat e ligjet në fuqi. Do të mundohem të jap një shembull se sfidat mund të përballohen me qetësi, ekuilibër dhe vendosmëri.
Të ndalemi pak te studentët, shkëputja nga Universiteti i Tiranës do të jetë ndihmesë për ta, apo më shumë burokraci?
Universiteti i Mjekësisë do të jetë më pranë studentëve të 5 fakulteteve mjekësore, për arsye të një kuptimi më të mirë profesional të problemeve të tyre, për arsye të një vendosje fizike më pranë tyre. Centralizimi i sekretarive mësimore dhe informatizimi i tyre do të ndihmojë më shumë në këtë drejtim.
Sa e vështirë është për një femër sot të mbajë pozicione drejtuese, e njëkohësisht të përmbushë detyrimet familjare. Si ia keni dalë ju?
Mendoj se nuk kam dështuar në asnjë nga misionet që kam kryer gjatë jetës. Duke pasur një dedikim të veçantë për studimin dhe profesionin, jam munduar ta kem primare familjen time, duke filluar nga prindërit, bashkëshorti dhe fëmijët gjithnjë më kanë mbështetur me mirëbesim e zemërgjerësi në të gjitha impenjimet e mia të vazhdueshme.
/z.ll. Panorama/





