DURRËS, 30 nëntor 2014 – Ky ka qenë momenti kur prezantuesja e koncertit festiv në kryeqytet për 70-vjetorin e Çlirimit ka prezantuar daljen në skenë të këngëtares së njohur angleze Jessie J. Mijëra drita telefonash, të zotët e të cilëve teksa lageshin në shi nuk donin t’ia dinin as për aparatët celularë dhe as për lagien e tyre, do të përbushnin me çdo kusht qëllimin për të cilin ishin mbledhur, të fiksonin me foto dhe video çdo moment të performancës së saj live.
E në fakt u deshën jo pak minuta pritje nën shi deri sa këngëtarja doli në skenë, e cila më pas elektrizoi të gjithë të pranishmit me këngët dhe energjinë e saj. Me hitet e saj të famshme botërore, Jessie J. ka bërë që festimet për 70 vjetorin e Çlirimit të jenë të paharrueshme për qytetarët shqiptarë. Koncerti festiv në sheshin “Nënë Tereza” kulmoi festimet për 70 vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë. Publikut nuk i kanë munguar edhe performancat e këngëtarëve shqiptarë Alban Skënderaj apo Elhaida Dani, të cilët kënduan bashkë me qytetaret ne shesh hitet e tyre më të njohura.





