Një ditë pas publikimit të skandalit në kopshtin privat “Diren”, administratorja e të cilit Anjeza Shabani u shfaq në një video duke rrahur brutalisht një fëmijë 3-vjeçar zbulohen detaje të reja.
Sipas “Report Tv”, kopshti “Diren” nuk inspektohej prej 3 muajsh. Përgjegjëse për dhënien e lejeve të ushtrimit të funksionit është Ministria e Arsimit, por kopshti në fjalë i kishte plotësuar të gjitha kushtet dhe ishte brenda rregullave dhe prandaj ishte i pajisur me leje apo licencë.
Anjeza Shabani, administratorja e kopshtit privat në Tiranë, u arrestua menjëherë pas publikimit të pamjeve shokuese në emisionin investigativ “Stop”. Që prej mbrëmjes së djeshme, ajo është kthyer për momentin në personin më të urryer në rrjetet sociale. Qindra njerëz kanë nisur të shfryjnë, pasi e panë që qëllonte pa mëshirë fëmijën e pambrojtur në kopshtin e saj.
Por kush është Anjeza Shabani?
Administratorja e kopshtit privat në Tiranë, ka mbaruar Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, dega Gazetari në vitin 2007. Pastaj ka punuar si gazetare në disa media të ndryshme, gazeta, radio dhe televizione. Së fundmi bashkë me bashkëshortin e saj, kanë menduar të hapin edhe një kopësht privat në zonën e Saukut.
Mbi të gjitha ajo është edhe nënë e një vajze të vogël.





