Në dy bulevardet kryesore në Durrës, “Epidamn” dhe “Dyrrah”, po vihet re një fenomen shqetësues kohët e fundit: drejtues mjetesh që lëvizin me shpejtësi të madhe, duke u kthyer në një rrezik serioz si për këmbësorët, ashtu edhe për drejtuesit e tjerë të automjeteve.

Megjithëse janë ndër rrugët kryesore të Durrësit dhe me më shumë qarkullim njerëzish e mjetesh, ata nuk pyesin as për orar trafiku e as për gjë tjetër. Kryesisht djem të rinj në moshë, shihen në çdo lloj orari të ditës teksa kalojnë si të ‘çmendur’ në bulevard, duke rrezikuar edhe fëmijët e vegjël që kthehen nga shkolla e i mbushin plot rrugët rreth mesditës kur mbarojnë mësimin.

Në jo pak raste, në këto rrugë kanë ndodhur aksidente të shumta, që “DurrësLajm” i ka pasqyruar gjithnjë, e në pjesën më të madhe të tyre, shkak kanë qenë shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesve. Kujtojmë rastin e pazakontë të një viti më parë, në qershor të 2016-s, kur një djalë i ri me “Benz” përfundoi në shatërvanin e sheshit “Liria”, si pasojë e shpejtësisë së lartë me të cilën po udhëtonte. Ngjarja u shënua në një moment kur sheshi ishte plot me njerëz të cilët po ndiqnin ndeshjen në kohën e Kampionatit Europian. Mund të kishte pasoja fatale, for fatmirësisht përfundoi vetëm me një të plagosur lehtë.

Në këto rrugë dhe të tjera në qytet kufiri i shpejtësisë është minimal, por shumë të rinj, të prirur vetëm për të çuar në fund pedalen e gazit, janë kthyer në rrezik të vërtetë për qytetarët. Punonjësit e Patrullave Rrugore të Policisë që i sheh në kryqëzime kyçe të Durrësit, dhe nuk ngurrojnë nga ana e tyre të ndalojnë ata drejtues mjetesh që i kapin dhe me shkeljen më të vogël, si: mosndezja e dritave të makinës, etj, do të ishte më mirë që të merrnin masa ndëshkuese më të ashpra ndaj atyre të parëve. Nuk jemi në një “Rally”, por në qytet, dhe jeta e durrsakëve është në rrezik nga këta shoferë!

S.L.