Asllan Kërtusha, 30 vjeç, që mbeti i vrarë mbrëmjen e së martës në Durrës, ishte një person njohur për strukturat e policisë. Ai ishte i skeduar shpeshherë për kryerjen e veprave penale të ndryshme në qytetin e Durrësit, ku në disa raste, ashtu si edhe mbrëmë, ka qenë i dehur.
Më gusht të vitit 2010, në atë kohë 24 vjeç, ai kundërshtoi me dhunë patrullën e policisë, për të cilën ra në pranga. Arrestimi i tij u krye, pasi në gjendje të dehur në lokalin e një shtetasi tjetër, kishte nisur të thyente gota, shishe dhe karrige në lokal, duke prishur qetësinë publike.
Në vitin 2011, Asllan Kërtusha bashkë me 4 të rinj, u ndalua nga policia në flagrancë, pasi kishin bllokuar rrugën në thirrje për solidarizim të drejtuesve të PS-së për revolta në Durrës, së bashku me mjaft persona të tjerë.
Në vitin 2014, bashkë me mikun e tij Denis Shtraza, (i akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut) vëllanë Ilia Shtraza dhe Miklovan Lazrin, u arrestuan pasi në ambientet e lokalit “Pop Corn” në lagjen nr.1, në gjendje të dehur, kanë thyer disa pajisje të lokalit dhe kanë goditur me mjete të forta shtetasit Miklovan Lazri dhe pronarin e lokalit shtetasin P.B., 48 vjeç, duke iu shkaktuar dëmtime, të cilat u klasifikuan në kategorinë e plagosjes së lehtë. Në atë kohë, Asllan Kërtusha u procedua për plagosje të lehtë me dashje të kryer në bashkëpunim me Denis dhe Ilia Shtrazën.
Historia e precedentëve penalë të 30-vjeçarit u mbyll mbrëmë, pasi mbeti i vrarë gjatë një konflikti në ambientet e lokalit “Lord’s”, ku u qëllua me vetë armën e tij nga pronari i lokalit Gëzim Kajno. Kërtusha ndërroi jetë në spital, ndërsa pronari i lokaleve të njohura në Durrës “Lord’s” dhe “Barons” është në kërkim nga policia, pasi u arratis menjëherë pas krimit.
Në këtë ngjarje mbeti i plagosur edhe Blendi Kajno, por ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.