Një foto me të fejuarin dhe dy zemra ishte mënyra si e dha lajmin e fejesës për miqtë dhe ndjekësit në rrjetet sociale vajza juriste e këngëtares Eli Fara. Tashmë, statusi i Marina Farës nuk është më “single”. Duke e njohur famën në Tiranë të partnerit të saj biznesmen nga Shkodra, Marina ka bllokuar opsionin e komenteve në Instagram, ndërkohë që të gjithë janë çuditur për këtë vendim të papritur të vajzës, që e prezantonte veten gjithmonë vetëm.
Me shpalljen e fejesës në 31-vjetorin e saj, Marina ka marrë një unazë diamanti nga 40-vjeçari, ndërkohë që nuk dihej se ku e ka njohur djalin e pasur nga Tirana. Sipas burimeve tona pranë Marinës, ata janë njohur nga një shoqëri e përbashkët e Elit, me disa menaxherë arti dhe një rrethi artistësh që frekuentonin të njëjtin lokal në Tiranë. Po kush është Edi Ismajli, djali i aventurave dhe jetës së luksit që ka marrë tashmë miratimin e këngëtares për të qenë dhëndri i saj?
Të njëjtën foto të realizuar gjatë festës së ditëlindjes së vajzës së Eli Farës e publikoi edhe ai vetë në profilet e tij në rrjetet sociale për t’u treguar vajzave që mund t’i kenë vënë syrin për shkak të pasurisë, pasi tashmë ai nuk është më beqar. Biznesmeni i famshëm i zonës që frekuenton lokalet e zonës së ish-Bllokut e bën jetën mes Tiranës, Shkodrës dhe Belgjikës. Ai është njohur vetëm disa muaj më parë me Marinën dhe nuk është dashur shumë kohë që ata të hidhnin hapin e rëndësishëm, atë të fejesës.
Por jeta e tij plot aventura, blerje të shtrenjta dhe udhë- time luksoze, nuk ka qenë një fushë me lule. Miq të afërt tregojnë se Edi ka pasur një jetë shumë të vështirë, plot drama e fatkeqësi. Sipas njerëzve të tij të afërt, para pak kohësh ai ka humbur në një aksident të fejuarën, së bashku me nënën dhe babain e tij, një ngjarje e frikshme kjo, të cilën nuk e ka pasur aspak të thjeshtë ta kalojë.
Lidhjet e shumta me vajza të bukura
Duke qenë se ishte një nga djemtë me jetën më luksoze në zonën e ish-Bllokut, Edi Ismajli ishte djali që synonte gjithmonë vajzat e njohura në publik. Por, pas fejesës me Marinën dolën në dritë shumë detaje në lidhje me jetën e tij personale, që dëshmojnë se kjo nuk është hera e parë që ai hedh një hap të rëndësishëm në jetë.
Kështu, para tri viteve ai organizoi një ceremoni madhështore martese, që kushtoi 300 mijë euro (sipas burimeve pranë tij), martesë që nuk ka zgjatur më shumë se një ditë. Dasma u organizua në një prej lokaleve të shtrenjta të Tiranës, që sipas burimeve kishte prani të shumtë të të ftuarve.
Marrja e vendimit të shpejtë për t’u martuar ishte arsyeja që e çoi në ndarje pas një dite, pasi shumë shpejt të dy e kuptuan që nuk kishin fare lidhje me njëri-tjetrin, sipas rrëfimeve të miqve. Ai njihet për jetën e shfrenuar në Tiranë dhe Belgjikë, makinat e shtrenjta dhe veshjet markë.
Anën e tij vanitoze ai e ka shfaqur si figuranti seksi në klipin “S’i kam harruar” të Joana Smakaj. Mik i familjes së Joanës, ai s’e kishte problem të bëhej pjesë e projektit muzikor, duke rënë në sy me fizikun gjatë zhytjes që bën në pishinë. /Panorama Plus