Në javët e fundit, telenovela e privatizimit të Lotarisë Kombëtare dhe Kampionati Europian i futbollit – që ka fryrë më shumë se zakonisht xhiron e basteve – kanë sjellë në skenë një problem me të cilin shoqëria dhe mediat shqiptare duken se janë mësuar të bashkëjetojnë: ai i përhapjes endemike të lojërave të fatit, një prej kalimeve të kohës i preferuar në Shqipërinë postkomuniste. Kjo nuk është një patologji vetëm shqiptare, por tashmë globale. Nga kur lojrat e fatit dhe bastet u legalizuan në Amerikën e viteve Gjashtëdhjetë, gjatë të njëjtit “revolucion kundër moralit” që solli pranimin social të homoseksualitetit dhe përhapjen e çdo tipi droge, të gjithë shtetet demokratike qenë detyruar të depenalizonin atë që, nga gjithmonë, ishte konsideruar një ves imoral. Por liria për bixhoz solli në dritë shumë shpejt pasojën e saj më ogurzezë, domethënë një sëmundje psikiatrike e quajtur “ludopatia” ose “varësia nga lojërat e fatit”, e klasifikuar në Manualin Diagnostik dhe Statistik të Sëmundjeve Mendore që nga 1980.

Ndoshta më ka shpëtuar ndonjë gjë, por duke kryer një kërkim në internet për lojërat e fatit dhe për fenomenin e basteve futbollistike në Shqipëri, nuk kam gjetur asnjë analizë sociale as psikologjike të detajuar mbi ludopatinë. Kam gjetur vetëm artikuj që japin shumë shifra por pak koncepte. Kam mësuar se shqiptarët lënë 10 miliardë lekë në vit në lojëra fati, se në Shqipëri funksionojnë 1500 kazino me 2220 makineri, por në rreth 400 prej tyre ushtrohet aktivitet i paligjshëm, se sipas Ministrisë së Financave, në vitin 2010 tregu formal i lojërave të fatit ishte 184 milionë dollarë, por industria reale e kumarit llogaritet në 500 milionë dollarë ose 5 për qind e Prodhimit Kombëtar.

Në përgjithësi, duket se mediat shqiptare janë më shumë të interesuara për aspektin financiar e politik të çështjes “kumar” sesa për arsyet e tij të thella dhe për pasojat e tij dramatike sociale. Detajohen me saktësi kostot e licencave dhe të gjitha “taksat për ushtrim veprimtarie në fushën e lojërave të fatit, për baste sportive, baste për gara në pistë, për kazino, për kazino elektronike, për lotari kombëtare, për bingo tradicionale dhe për bingo televizive”. Nënvizohet se “në dy vjet taksat e bixhozit janë rritur me disafish: në 2010-ën, qeveria arkëtoi nga kumari 54 milionë dollarë taksa ose gati 2.5 herë më shumë se në vitin 2008”, duke theksuar se “në vitet e fundit të ardhurat nga bixhozi kanë pësuar vetëm rritje”. Por nga ana tjetër ankohet se “niveli i të ardhurave nga aktivitetet e lojërave të fatit është tepër i vogël”, sepse “një pjesë e madhe e kësaj industrie punon në të zezë dhe nuk paguan taksat”. Dhe pastaj ka plot sulme kundër qeverisë, e akuzuar se përpara ka ulur taksat dhe ka lehtësuar licencat për kazino, duke kontribuar në shumimin e tyre dhe duke dëmtuar buxhetin shtetëror, dhe pastaj se ka rritur taksat për të arkëtuar lekë në sajë të tregut të kumarit.

Nga dhjetra artikuj dalin vetëm pak kritika me profil social. “Rezulton se shqiptarët luajnë bixhoz shumë më tepër sesa qytetarët e pasur të BE-së”. “Ekspertët e cilësojnë kumarin si sëmundja e vendeve të varfra, ku individë të dëshpëruar nga gjendja e vështirë ekonomike joshen nga lojërat e fatit”. “Në shumë vende të botës këto lojëra të rrezikshme janë larguar nga mjediset e qyteteve duke i lejuar veprimtaritë e tyre vetëm në periferitë e tyre. Ndërsa tek ne, të gjitha katet e para të pallateve të reja janë kthyer në kazino”. Nga ana e tij, sociologu Kosta Bajraba mbështet se “tranzicioni në Shqipëri ka prodhuar periudha tensioni dhe konflikti të lartë politik, që sjell tek njerëzit stres social e psikologjik të përditshëm. Dhe njerëzit kërkojnë të relaksohen duke iu drejtuar lojërave të fatit. Qeveria duhet të dekurajojë qytetarët që t'u drejtohen kazinove duke iu ofruar njerëzve alternativa të tjera të argëtimit dhe kalimit të kohës së lirë”.

E gjitha e vërtetë dhe e gjitha e drejtë, por mungojnë analiza psiko-antropologjike që të shpjegojnë se përse ludopatia është kaq e përhapur në Shqipëri. Varfëria nuk mund të jetë e vetmja arsye.

Lojërat e fatit, supersticioni dhe jeta bereqaves: tre anë të së njëjtës monedhë

Pasioni për lojërat e fatit, bastet dhe tendenca për të zhvilluar ludopati janë më të përhapura në shoqëritë dhe në kulturat ku supersticioni është shumë i rrënjosur dhe kryen një rol themelor në jetën e përditshme. Nga ana e tij, supersticioni mbizotëron në kontekstet e dominuara nga pasiguria ekzistenciale, nga varfëria materiale dhe shpirtërore, nga mungesa e vlerave morale dhe fetare. Kjo është pikërisht situata e Shqipërisë, ku çdo shtëpi ka nevojë për një kurban, për një kukull të varur mbi çati dhe për vargje të shumta me hudhra, dhe ku njerëzit – sidomos fëmijët! – rrezikojnë goditje nga syri i keq prej ndonjë fqinji ziliqar… Në këto kushte, edhe besimi në “fat” është i padiskutueshëm dhe njerëzit bien lehtë viktima të kumarit.

Shkenca psikologjike ka demonstruar se mekanizmat bazë të lojërave të fatit, basteve dhe të supersticionit janë të ngjashëm dhe themelohen mbi të ashtuquajturin “mendim magjik”. Në fakt, në eksperimentimin e përditshëm të realitetit, individi mund të përdorë dy forma mendimi: mendimi racional dhe mendimi magjik. I pari bazohet në logjikë dhe në arsyetim, në aftësinë për të bërë hipoteza dhe për t'i verifikuar nëpërmjet arsyetimit matematik, llogaritjes së probabilitetit dhe proçeseve logjike të shkak-efektit. Mendimi racional karakterizon kulturën e botës perëndimore, ku është shfaqur në mendimin shkencor dhe është kthyer në një stil jete që preferon të mos lërë asgjë në duart e fatit, por që bazohet në konkretësi ekonomike dhe sociale. Mendimi racional zhvillohet gjatë adoleshencës, kur individi fiton vetëdijen për vdekjen dhe pra për limitet objektive të ekzistencës, dhe pastaj kushtëzon të gjithë moshën e rritur.

Përkundrazi, mendimi magjik është karakteristik për fëmijët dhe, teorikisht, do të duhej të dobësohej me zhvillimin adoleshencial të mendimit racional dhe me rritjen e kulturës personale. Mendimi magjik bazohet në tendencën e lidhjes së dy fenomeneve që në realitet janë të pavarura, ekzaktësisht siç ndodh me psikologjinë e bixhozçinjve: “kam ëndërruar një numër dhe kështu do ta luaj në lotari”, “sot është ditëlindja ime dhe prandaj jam me fat”, “ai klub basti më sjell fat, sepse një herë kam fituar aty”, etj. Por përse mendimi magjik, që mbizotëron në jetën mendore fëminore, vazhdon edhe në moshën e rritur të shumë individëve dhe ndonjëherë të popujve të tërë? Psikologët mbështesin se mendimi magjik kryen tre funksione në ekzistencën e njerëzve dhe grupeve më të brishtë nga pikëpamja sociale dhe kulturore: një funksion “mbrojtës”, një funksion “besimi” dhe një funksion “njohës”.

Funksioni “mbrojtës” bazohet në bindjen për mundësinë e kontrollit të realitetit, sidomos në kushte pasigurie sociale dhe financiare. Për shembull, kush ka një punë të paqëndrueshme, e kërcënuar nga shantazhe politike apo nga rreziku i falimentimit të biznesit apo thjesht nga mungesa e një kontrate pune, shpreson të bëhet një lojtar i aftë pokeri ose një ekspert futbolli, për të gjetur rezultatet e ndeshjeve në bazë të “analizave” të presupozuara dhe jo thjesht për fat. Lojërat e fatit bëhen pra një “bastion shprese” mbas të cilit individi mbron pozicionin e tij të brishtë socialekonomik. Funksioni “besim” mbështetet në shpresën se ekzistojnë forca të mbinatyrshme që rregullojnë ngjarjet, dhe se kështu fati duhet një ditë apo një tjetër të trokasë edhe tek ne: për shembull, në Shqipëri, thuhet se “fëmijët sjellin para”, ndërsa realiteti tregon se fëmijët sjellin shpenzime të mëdha. Prandaj funksioni besim konsiston në bindjen qorre tek një fat “i bardhë”: ky mekanizëm frymëzon edhe investimet aventuroze dhe bizneset bereqaves, të mbështetura vetëm në optimizëm në vend të analizave konkrete të tregut. Në fund, funksioni “njohës” i jep mendimit magjik detyrën e zëvendësimit të formave të tjera të interpretimit të realitetit, duke zbuluar atë që nuk mund të jetë e njohur nëpërmjet logjikës. Shumë bixhozçinj mendojnë se rezultatet e një basti fitues i janë sugjeruar nga ana e të afërmve të vdekur apo se fitorja ka ardhur në ditë të veçanta (përvjetorë, ditëlindje, etj). Prandaj mendimi magjik do të demonstronte ekzistencën e realiteteve të mbinatyrshme, paralele me atë në të cilin jetohet – realitete tek të cilat vetëm bixhozçiu supersticioz, një “i zgjedhur”, mund të hyjë.

Ludopatia, një sëmundje e injorancës dhe e degradimit social

Aristoteli thonte qartësisht se “besimi në fat është vetëm shfaqja e injorancës sonë”. Jo rastësisht, në antikitet, pikërisht filozofët shkëshillonin popullin nga loja e zareve, ndërsa më vonë të gjitha fetë e planetit e dënonin këtë formë supersticioni dhe shtetet penguan përhapjen e vesit nëpërmjet ligjeve të rrepta. Sot, përkundrazi, kumari nuk është më objekt i dënimit moral, duke braktisur shtresat popullore më të varfra dhe më injorante në mëshirë të “fatit”. Në fakt ekziston një raport anasjelltas proporcional mes pasionit për bixhoz dhe mirëqenies ekonomike: sa më pak siguri financiare të kihen aq më shumë je gati për të rrezikuar. Duke pritur që statistika analoge do të publikohen një ditë edhe në Shqipëri, le të shohim shembullin italian, ku një milion bixhozçinj janë ludopatikë dhe ku Qendra Kombëtare e Kërkimeve ka treguar lidhjen e pandashme midis kumarit dhe degradimit social: 66% e bixhozçinjve janë të papunë, 47% janë të varfër, 56% të shtresës së ulët. Luajnë kryesisht njerëzit më pak të arsimuar dhe me pak sens kritik.

Lojërat e fatit pasurohen mbi shpresat e individëve të brishtë nga ana sociale dhe të papërgatitur kulturalisht, të cilët në kohë krizash ekonomike janë akoma më të prekshëm. Në Europë, një kategori sociale në rrezik të madh për ludopati janë imigrantët: mbas ushqimeve, dy zërat kryesorë të shpenzimit të familjeve afrikane, amerikano-jugore dhe të Europës lindore janë mbushja e celularëve dhe lojërat e fatit. Këto familje, që nuk shpenzojnë asgjë për argëtim, restorante dhe kinema, konsiderojnë këto lojra qoftë si i vetmi dëfrim interesant qoftë si një okazion për t'u çliruar nga varfëria. Sjellja e tyre pasqyron atë të europianëve me situatë ekonomike më të pasigurtë, që, duke mos patur mënyrë tjetër për të kaluar kohën e lirë, kanë probabilitetin më të lartë për të zhvilluar varësinë nga lojrat e fatit.

Studime të shumta kanë provuar të zbulojnë faktorët që predispozojnë për ludopati. Në lojtarët patologjikë ndeshet problemi neurologjik (pra i trashëgueshëm) i prodhimit të ulët të serotoninës, substanca kimike cerebrale përgjegjëse për ekuilibrin karakterial. Por evidentohen edhe aspekte ambientalë-edukativë, që rrjedhin nga vlerat familjare dhe nga ambienti social në të cilin ludopatiku është rritur: situata të brishta ekonomike dhe papunësi, të karakterizuara njëkohësisht nga një materializëm i fortë dhe nga obsesioni për paranë, përbëjnë një faktor rreziku të veçantë për ludopati. Ekzistojnë pa dyshim edhe faktorë psikologjikë, të lidhuara me një karakter të pangopur për para dhe me tendencën për të zhvilluar forma të tjera varësie (nga droga, nga alkooli, nga seksi, nga pornografia, nga play-station). Jo më kot, individët me rrezikun më të madh për ludopati janë burrat që, nëse nuk janë të papunë, kanë aktivitete private (në Shqipëri thuhet “biznesmen”) dhe që merren me shitje apo që kanë një kontakt të vazhdueshëm me paranë cash. (Në romanin “Kumarxhiu”, Dostoevskij bënte një pyetje provokuese: “Dhe përse bixhozi do të ishte më keq se çdo mjet tjetër për të bërë para, për shembull sesa tregtia?”).

Nëse këtyre predispozicioneve personale i shtohet një ofertë e madhe kazinosh, kuadri është kompletuar, pa llogaritur përhapjen e “ludopatisë virtuale”, lojëra fati nëpërmjet internetit, që shkaktojnë një varësi shumë më të shpejtë dhe të rëndë sepse bixhozçiu përdor një teknologji të automatizuar dhe ripërsëritëse, që e hipnotizon totalisht. Nga ana tjetër në Shqipëri thuhet se “industria e lojërave të fatit vepron në bazë të parimit kërkesë-ofertë, sepse numri i madh i kazinove dhe basteve i përgjigjet kërkesës së tregut”. Ndonjëri nënvizon se në Tiranë ka vetëm dy kinema dhe qindra kazino, ndërsa në Durrës nuk ka as edhe një kinema, sepse ndoshta njerëzit nuk ia ndjejnë nevojën dhe burrat preferojnë të kalojnë kohën duke parë teletekstet me rezultatet e ndeshjeve të futbollit. E vetmja zgjidhje e problemit, në një shoqëri si ajo shqiptare shumë e ndjeshme ndaj opinionit të “botës” dhe ndaj sensit të “turpit”, është përshkrimi i vesit të bixhozit si një e metë mendore, një turp social, një simptomë injorance, një argëtim për Botën e Tretë. Shpresojmë që mediat do të ndihmojnë në këtë sens me fushata publicitare “ad hoc”.



 

Nga kur lojrat e fatit u legalizuan në Amerikë gjatë “revolucionit kundër moralit” i viteve '60, të gjithë shtetet demokratike qenë detyruar të depenalizonin atë që, nga gjithmonë, ishte i konsideruar një ves imoral. Por liria për bixhoz solli në dritë një sëmundje psikiatrike e quajtur “ludopatia” ose “varësia nga lojërat e fatit”. Pasioni për lojërat e fatit është më i përhapur në shoqëritë dhe në kulturat ku supersticioni është shumë i rrënjosur dhe ku mbizotëron “mendimi magjik”. Luajnë kryesisht njerëzit më pak të arsimuar dhe me pak sens kritik, që i konsiderojnë këto lojëra si i vetmi dëfrim interesant…