DURRES, 20 maj 2013– Sot është Dita Kombëtare e Jetimëve. Në këtë ditë të rëndësishme kur aktorët e shoqërisë duhet të sjellin në vëmendje këtë grup social tepër vulnerabël dhe gjendjen e vështirë në të cilën ata ndodhen, për të ndërgjegjësuar shtetin, politikën, biznesin dhe ndërgjegjen qytetare në përgjithësi, Durrësi heshti. I ngërthyer nga fushata elektorale, kërkimi për votat, aktivitete të tjera të munguara dhe Mos o Zot! nga e ashtuquajtura indiferencë durrsake, qyteti ynë heshti. Heshtën edhe vetë shoqatat e jetimëve, një prej grupeve më të prekura të shoqërisë nga probleme të tilla, si papunësia, strehimi, edukimi dhe duke i përmbledhur të gjitha në një fjalë, nga varfëria.
Me dhjetra, qindra, mijëra jetimë, me peshë të ndryshme të kësaj problematike, enden në rrugët e jetës, ndërsa dyert u përplasen në fytyrë. Ndjehen dhe janë pa përkrahje, ndërsa shteti nuk arrin as t’i trajtojë si një nga grupet më në nevojë. Të drejtat e tyre nëpërkëmben, ndërsa përfaqësuesit e politikës sot i kanë kujtuar në disa mesazhe, por edhe statuse në rrjetet sociale, ku ndër më të vlefshmit dhe më pranë realitetit të këtij grupi ishte ai i Eglantina Gjermenit dhe për vetë faktin se ajo ka qenë dikur pjesë aktive e shoqërisë civile dhe sot mjaft aktive në politikë.
“Praktika e shërbimit social për fëmijët jetimë sot është në papajtueshmëri të hapur me parimin se interesi më i lartë është ai i fëmijëve, si dhe me të drejtat e fëmijëve për jetë cilësore dhe pranë familjes. Janë me dhjetra fëmijët jetimë që mbyllen në institucione me shërbime të cilat ndjekin modele të vjetëruara përkujdesjeje. Shërbimi i kujdestarisë në familje ka ngecur në fazat e tij elementare dhe kujdesi për fëmijët jetimë është minimal dhe nuk plotëson as nevojat e tyre bazë.”- thekson Gjermeni në statusin e saj, ndërsa zotohet për kujdes të veçantë në emër të forcës politike që ajo përfaqëson.
“Në programin e Partisë Socialiste “Për një Rilindje Shqiptare” ne zotohemi se do të tregojmë kujdes të veçantë për femijët dhe adoleshentët jetimë social dhe biologjikë që në moshën 16-vjeçare dalin nga institucionet e përkujdesit, dhe gjenden pa kujdes, pa punë e strehim. Brenda mandatit të parë qeverisës, do të ofrojmë strehim dhe punësim në kushte të përshtatshme për të gjithë jetimët që aktualisht janë të papunë e pastrehë dhe atyre që do dalin periodikisht nga institucionet rezidenciale.”
Ky është një premtim tepër kuptimplotë dhe që ngjit, po sa do të realizohet duhet të presim fillimisht rezultatin e zgjedhjeve dhe më pas përshfaqjen e modelit qeverisës dhe realizimin e zotimeve. Përballë një arke shteti të boshatisur, realizimet e shumë premtimeve elektorale duken të vështira. Mund të çojnë më përpara nivelin e borxhit publik. Gjithsesi me një mirëqeverisje, të cilën ne shqiptarët nuk e kemi realizuar ende, në këto 22 vite demokraci, gjërat dhe mund të ndryshojnë.
Shpresa vdes e fundit, po dhe shoqëria duhet të reagojë më fort ndaj politikës së çdo krahu, për politika sociale shtetërore reale, që nuk mbeten në konstatime, po gjenerojnë ndryshim.
/v.q. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





