Deputeti i PD-së Asllan Dogjani ka folur sot në mbledhjen e grupit të PD-së për hetimin e SPAK për fshehje pasurie, lidhur me një apartament. Ai tha se jeton në këtë apartament me fëmijët prej 20 vitesh dhe se sulmi ndaj tij është i dirigjuar për të bërë pis PD-në.
Dogjani tha se ka denoncuar grabitjen e pronës publike në mes të Tiranës nga ky ndërtues që ka bërë më pas kallëzimin.
“Jetoj me tre fëmijët e mi në atë shtëpi që 20 vite. Shikoni ku ka rënë niveli i SPAK-ut, në vend që të merret me korrupsionin e qeverisë, me vilat, fillon ndaj meje një procedim si deputet i opozitës, pas asnjë lloj prove. Unë kam denoncuar grabitjen e pronës publike në mes të kryeqytetit para pallatit tonë nga ky ndërtues që është dirigjuar nga Veliaj e Rama për të bërë kallëzim në SPAK.
Pas 20 vitesh duke qenë se unë kam kërkuar interpelancë me Edi Ramën pikërisht për këtë pronë dhe duke qenë se ka lidhje me një deputet të PS-së e kanë dirigjuar për të bërë kallëzim për mua, për të më hetuar për fshehje të pasurisë. Është e dirigjuar ndaj meje për të bërë opozitën pis. Për të na bërë të gjithë njësoj. Unë e kallëzoj se ka vjedhur pronën dhe vetë Kadastra ia anulon legalizimin, por procedohem unë. Mua më motivon më shumë dhe do vazhdoj të denoncoj çdo ditë dhe nuk më frikësojnë dhe nuk më ndalojnë dot as Edi Rama askush për ngritjen e zërin. Do ta bëj dhe duhet ta bëni të gjithë që SPAK-u të merret me provën, të mos marrë urdhra politikë”, tha Dogjani.