Drama e tre grave që me pensionin e verbërisë së gjyshes prej 100 mijë të vjetra do shtyjnë gjithë muajin. Kishin mbetur pa bukë.  Para godinës së postës në Durrës një foshnjë dy muajshe së bashku me nënën e saj ka qëndruar për disa orë.

Të gjithë ata që kalojnë në rrugë në këto kohë të vështira të shfaqjes së pandemisë së koronavirusit, shikojnë me habi bebin dhe të renë, se për çfarë kanë dalë nga shtëpia, ndërkohë që strukturat e shtetit bëjnë thirrje për të qëndruar brenda banesave të sigurt.

Në krah të tyre janë zyrat e postës, ku radha është e gjatë. Aty janë dyndur pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuar që përfitojnë pension invaliditeti. Nuk mungojnë as ata që paguajnë faturat.

Nëna e vogëlushes vetëm dy muajshe thotë se po pret nënën e saj të marrë pensionin e invaliditetit. Për dy gratë dhe për beben e ardhur në jetë pas tërmetit të 26 nëntorit, në këto kohë pandemie, e vetmja e ardhur është 10 mijë lekë të reja në muaj që përfiton gjyshja Nailja si pasojë e verbërisë.

Naile Roshi është banore e lagjes numër 5 në Durrës. Ajo thotë se është e detyruar të presë në radhë për pensionin, pasi ju duhet të blejnë ushqime dhe gjërat më elementare për mbesën e cila rritet prej saj pa baba.

“Dola për lekë se s’kishim bukë për të ngrënë. Shyqyr që mora pensionin, se kishim mbetur pa asgjë. Kemi edhe faturat edhe vajza e vogël do panolina.”, thotë e moshuara. 

“Pensionistët po sorollaten e kanë pritur që më datë 27 pensionin e kempit. Me ato 100 mijë po shtyhemi. Se unë jam pa punë. Nuk kemi ku të punojmë.”, thotë nëna e vajzës së vogël. Ajo ka punuar si shitëse edhe në rrobaqepsi por punët janë mbyllur si masë mbrojtëse e qeverisë kundër COVID-19.

Naile Roshi thotë se qëndroi 3 orë për të marrë pensionin. “Ne të treja jetojmë me 100 mijë në muaj. Mua që jam gjyshja e moshuar më ka mbetur të ushqej tre frymë me kaq lekë”, thotë ajo.

Kryeministri Edi Ramatha se pensionet do t’u dërgohen në banesa të gjtihë të moshuarve  që të mos dalin jashtë shtëpie, por në Durrës kjo nuk ndodh.

K.H.