Tiranë, 26 qershor 2014 – Gazeta “Panorama” shkruan sot se personi i dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve në Laç, i cili kërcënoi me telefon nga burgu deputetin e Partisë Socialiste Sadri Abazi, ia ka hedhur përgjegjësinë shokut të qelisë. Altin Piroli, gjatë deklarimeve të tij për oficerët e policisë që e kanë marrë në pyetje në Burgun 302, është shprehur se nuk e njeh Sadri Abazin.
Personi që tashmë hetohet edhe për kanosjen ndaj deputetit ka thënë se ishte porositur nga një tjetër i burgosur që t’i telefononte Sadri Abazit. Policia e Tiranës nuk e bën të ditur emrin e të dyshuarit që ka kërkuar kërcënimin e deputetit, por mësohet se ai është një qytetar nga Laçi dhe dyshohet se ka pasur një konflikt të hershëm me Sadri Abazin.
Megjithatë, burimet e Policisë thanë se deklarimet e Altin Pirolit ende nuk janë marrë të mirëqena plotësisht. Kjo për arsye se ai herë pas here dilte jashtë teme gjatë marrjes në pyetje, duke lënë të kuptohej se ka luhatje humori dhe probleme mendore, ashtu siç edhe u deklarua në kohën kur ai u arrestua për vrasjen e dyfishtë në Laç.
Deputeti Sadri Abazi denoncoi të dielën në Komisariatin Nr. 3 se ishte kërcënuar nga një person që i kishte telefonuar nga Burgu 302 në Tiranë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, Abazi është telefonuar për herë të parë nga i burgosuri Altin Piroli paraditen e së enjtes.





