Rusia ka vendosur veton në Këshillin e Sigurisë në OKB ndaj një rezolute që u paraqit për ndalimin e përdorimit të armëve bërthamore në hapësirë.
Projekt-rezoluta e paraqitur nga SHBA dhe Japonia synonte të riafirmonte një parim në Traktatin e Hapësirës së Jashtme të vitit 1967, ku është e ndaluar përdorimi i armëve bërthamore në hapësirë.
Por Rusia vendosi veton ndaj votimit të kësaj rezolute, kurse Kina abstenoi. 13 shtete të tjera votuan pro. Veto e Rusisë shihet me skepticizëm se çfarë po fsheh Moska. Megjithatë, Rusia tha se është e vendosur fuqimisht ndaj traktatit ekzistues.
Ambasadorja amerikane në OKB e konsideroi të habitshëm vendimin.
“Vetë Presidenti Putin ka thënë publikisht se Rusia nuk ka ndërmend të vendosë armë bërthamore në hapësirë. Pra, vetoja ngre pyetjen pse? Pra, nëse ndiqni rregullat, pse nuk e mbështesni një rezolutë që i afirmon ato? Çfarë mund të fshihni”, u shpreh ambasadorja amerikane në OKB.
SHBA ka paralajmëruar më herët se besohet që Rusia po ndërton një armë bërthamore për në hapësirë. Ka qenë vetë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, i cili në Shkurt tha se arma që po ndërton Rusia është kundër satelitëve, megjithëse shtoi që nuk është ende funksionale.
Nga të gjitha shtetet në botë, SHBA-ja varet për gjithçka nga komunikimet satelitore, që nga operacionet ushtarake, mbikëqyrja, sistemet GPS dhe transaksionet financiare.