DURRËS, 8 maj 2014 –  Kishte 15 vjet që për blerjet on-line mbi 10 mijë lekë të rinj paguhej taksë doganore (2-15% sipas mallit) dhe TVSH 20 për qind, por qeveria e rriti tavanin deri në 20 mijë lekë importe.

Me propozim të ministrit të Financave Shkëlqim Cani, Këshilli i Ministrave miratoi, më 7 maj 2014, rritjen e kufirit të shpenzimeve për blerjet online, nga 10 000 lekë në 20 000 lekë.

Kjo do të thotë se për blerjet me vlerë deri në 20 000 lekë nuk do të aplikohen taksa, që janë taksa doganore (varion 2-15 për qind sipas mallit) dhe TVSH 20 për qind.

Ky lehtësim fiskal vjen pas trendit në rritje të blerjeve online dhe nevojës për rishikimin e kufirit vendosur më 1999-n, kur ky fenomen ishte gati i panjohur.

Ky vendim i përjashtimit nga taksat për blerjet online deri në 20 000 lekë do t’i sjellë arkës së shtetit një efekt negativ prej afro 30 milionë lekë, thotë ministria shqiptare e Financave.