Me boom-in turistik të viteve të fundit, Durrësi vijon të mbajë fronin e kryeqytetit shqiptar të turizmit.
Bulevardi “Epidamn”, që përshkon mes për mes zonën historike të qytetit, (i njohur ndryshe si Rruga Tregtare), është rijetëzuar mjaft vitet e fundit, pasi shumë nga godinat historike të viteve 20-30 të shekullit të kaluar (prona të familjeve tregtare durrsake) janë rikonstruktuar tërësisht për t’u transformuar në Hotel Boutique, që mirëpresin vizitorët e huaj në çdo stinë të vitit.
Struktura më e re akomoduese, që ka hapur dyert vetëm pak muaj më parë pozicionohet përballë amfiteatrit, monumentit më madhështor të qytetit. Një fjalë e urtë popullore thotë “Fillimi i mbarë, gjysma e punës” e këtë duket se e personalizon më së miri hotel boutique “Art Gallery” që me përshtypjet e deritanishme të klientelës vlerësohet me notën 9.7 në agjensinë online më të madhe të udhëtimeve Booking.com.
“Klientelën e kemi pasur nga të gjitha vendet e botës. E kemi pasur nga Gjermania, Italia, Filanda, Danimarka, shqiptarë të Kosovës, të Maqedonisë etj. Nuk e mendonim kaq shumë klientelë dhe kaq mirë në fillim. Me pak fjalë, Durrësi është një qytet 4 sezonal, jo vetëm për verën”,- thotë Bjorn Terziu , përfaqësues i hotelit.
E rikonstruktuar totalisht, godina 4 katëshe luksoze është e arreduar me mjaft stil, me një dizajn sa elegant aq edhe komform standarteve evropiane. Dhe klientët nuk kanë sesi mos ta vlerësojnë këtë fakt.
“Na pëlqen shumë këtu. Është shumë hotel i bukur, dekori është punuar me shije. Çdo gjë është e mahnitshme. Vi për herë të parë këtu dhe më pëlqen shumë.”
“Hoteli është shumë i këndshëm dhe vitin tjetër pse jo, do të vijmë sërish”.
“Mbase kam qenë me fat, por gjithnjë kam pushuar në hotelet më të njohura në Durrës dhe më të rehatshme”,- thonë disa prej tyre, që po qëndrojnë prej ditësh në hotel.
Me vetëm 300 metra gjatësi, bulevardi “Epidamn” është aksi me përqendrimin më të madh të hoteleve në Durrës. Në të dy anët e tij ndodhen godina 3-4 katëshe, që me pozicionin e tyre mjaft të favorshëm, shumë pranë qendrës dhe disa dhjetëra apo qindra metra larg siteve arkeologjike e historike të Durrësit 3000-vjeçar, janë si një magnet për turistët e huaj.
“Shoh që keni shumë më tepër turistë, sesa vite më parë. Po shihja për një hotel afër detit, por jo domodoshmërisht buzë detit dhe kështu e gjeta këtë ambient”.
“Është shumë unik dhe i këndshëm. Ndihemi shumë mirë që erdhëm këtu”,- na rrëfejnë disa nga turistët që pushimet verore zgjodhën t’i kalonin në Durrës.
Por jo vetëm ajo që njihet si Rruga Tregtare ka disa prej hoteleve me stilin më të veçantë në Durrës. Në rrugën “Taulantia”, pranë zonës së Currilave, ndodhet një nga hotelet me arredimin më unik. “2 Kitarrat” pret e përcjell turistë të huaj dhe vizitorë vendas prej 10 vitesh tashmë. I arreduar në stilin barok dhe me dhomat e etiketuara jo mbi bazë numrash, por mbi bazë emra lulesh dhe aromash, hoteli është një nga strukturat akomoduese më origjinale të qytetit.
“Ne krijuam një stil barok dhe kushdo që vjen, vjen me dëshirën që nëse një herë ka qenë në dhomën e trëndafilit, herën e dytë vjen në dhomën e orkidesë, pastaj kërkon të vijë tek dhoma e kanellës etj. Të gjitha dhomat tona janë të arreduara sipas lules, aromës dhe ambientet e këtij stili që ne kemi përzgjedhur”,– na rrëfen Nina Beqiraj, administratore e hotelit.
Një nga pikat më të forta të hotelit “2 Kitarrat” është SPA-ja e tij, që pëlqehet shumë nga të huajt.
“Turistët, jo vetëm që vizitojnë qytetin tonë, që e kemi kaq të bukur, vijnë në restorantin tonë “2 kitarrat” ku darkojnë me muzikë live dhe kënaqen, por gjatë pasdites ata kalojnë kohë në SPA-në tonë”.
“Në SPA-në tonë ofrojmë për klientët e hotelit trajtime trupi, gjithashtu edhe trajtimet e fytyrës. Këtë sezon veror i kërkojnë shumë trajtimet anti age, vitaminë C, mesoporacion, radio frekuencë etj. Kemi gjithashtu edhe trajtimet e trupit që janë relaksuese, me gurë vullkanikë, kemi suitën e mrekullive, kemi dhomën e kripës. Kemi shumë e shumë trajtime”.
Në vendin tonë, mikpritja ka qenë një nga traditat më të bukura, të trashëguara ndër shekuj, brez pas brezi. Në përshtypjet e klientëve të hotel boutique-ve në Durrës, mikpritja nënvizohet në secilin prej tyre, duke dëshmuar kështu për një kujdes të veçantë kundrejt çdo klienti.
Por në njërin prej tyre, kjo vlerë e shtuar nënvizohet thuajse në çdo koment. Bëhet fjalë për hotel “Nais”, ku vëmendja dhe përkujdesja deri në detaje, i bën klientët të ndihen si në shtëpi, si në familje.
“Këtu gjen dashuri, ndjesinë e familjes. Këtu gjen diçka që nuk e blen dot me para, janë marrëdhëniet njerëzore. Është ndjesi shumë e bukur. Këtu ndihesh i mirëpritur, ndihësh si në një ambient familjar dhe të vjen keq të largohesh”.
“Ndihemi si në familje, sepse nuk është si hotelet e zakonshme ku hyn dhe del dhe nuk flet me njeri”.
“Është hera e dytë që vi këtu. Erdha dy vite më parë, u ndjeva mirë dhe këtë vit thashë do vijmë sërish këtu, sepse të mirëpresin shumë mirë dhe ka shumë qetësi”,- na tregojnë disa nga klientët.
Gjatë ditëve të qëndrimit, turistët njihen jo vetëm me historikun e hotelit dhe qytetit, por shijojnë edhe ëmbëlsirat e gatuara në shtëpi apo çajin e malit me limon, që sipas stinës e provojnë të nxehtë apo të ftohtë.
“Ndihen shumë të kënaqur, sepse motivi jonë është që ata të ndihen si në shtëpinë e tyre. Që në momentin e parë që prezantohen në hotel ata priten si në një ambient familjar dhe jo në një ambient pune. U përgatisim një mëngjes shumë tradicional, që gatuhet me detaje nga zonja”,- thotë pronari Betim Myshketa, që bashkë me bashkëshorten i përkushtohet 24/24 mirëardministrit të hotelit.
Megjithëse pjesa më e madhe e hoteleve në bulevardin “Epidamn” ka vetëm pak vite në treg, investimi i bërë nga pronarët, përzgjedhja me mjaft kujdes e stafit, përkushtimi për të përmbushur më së miri kërkesat e klientelës nga shumë vende të ndryshme të botës duket se ka dhënë më së miri rezultat. Nga vëzhgimi i imtësishëm që “DurrësLajm” bëri në Booking.com për secilin nga hotel boutique-t e Bulevardit “Epidamn” vlerësimi varion nga “I jashtëzakonshëm”, “I mrekullueshëm” e deri tek “I shkëlqyer” duke dëshmuar kështu se Durrësi jo më kot e mban kurorën e kryeqytetit shqiptar të turizmit.
M.B.