Ditën e nesërme (e hënë, 11 maj), përpos parukerive, klinikave dentare, nisin aktivitietin edhe një pjesë e dyqaneve të qendrave tregtare. Sigurisht që lëvizja dhe qëndrimi nëpër qendra do të jetë e kufizuar dhe në kushte sigurie.

Në protokollin e masave higjieno-sanitare të publikuar në e-Albania thuhet se:

-Vizitorët duhet të shkojnë në një qendër tregtare vetëm atëherë kur është e nevojshme.
-Në qendër tregtare nuk do të ketë parkim me “shoqërues parkimi”.

Një vizitor mund të qëndrojë vetëm për maksimum 2 orë dhe në qendër nuk mund të lejohen më shumë se 50% e kapacitetit të qendrës tregtare në të njëjtën kohë. Vizitorët do të informohen paraprakisht për limitin e fashës orare.

-Të përdoret ashensori, por jo më shumë se 30% e kapaciteteve të tij.

-Shërbimet tregtare me tavolina apo shërbim në këmbë nuk lejohen gjatë kësaj periudhe në ambientet e brendshme të qendrës tregtare.

-Po kështu edhe parqet e lodrave dhe kinematë nuk do të jenë të hapura.

-Përsa i përket pagesës, do të promovohet pagesa me kartë, por nuk përjashtohet pagesa cash.

-Qendrat tregtare do të kenë dyer elektrike dhe do të përcaktohet vetëm një hyrje dhe një dalje, pra lëvizja e vizitorëve do të jetë vetëm në një drejtim.

-Të gjitha pikat e hyrjes në qendër do të jenë të hapura për të siguruar kalimin e vizitorëve në korridorin e sigurisë, i cili duhet të jetë me shenja të dukshme në dysheme.

-Sipërfaqet me nivel ndotje apo prekje të lartë do të pastrohen shpesh me dezifektantë (shkallët elektrike, butoni ashensorit, tualetet) etj.