·  “OSBE ka bërë raport paçavure: manipulon fakte për qëllime politike dhe përfitimi. Deputeti dhe kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane nuk ka asnjë lidhje me akuza të përdala të cituara në të ashtuquajturin “Raport”. Ai është një njeri i ndershëm, i respektuar dhe me mbështetjen më të gjerë në qark”

16 shtator 2015 –  Dyshohet se një grup mediatik i lidhur me kreun e opozitës Lulzim Basha dhe kyetarin e PR-së Fatmir Mediu kanë siguruar një “leak” – kabllogram i brendshëm nga zyrat e Pranisë së OSBE-së në Tiranë, ku sulmohen jo vetëm Rama dhe Berisha, por edhe deputeti republikan i qarkut të Durrësit Agron Duka:

“Agron Duka (PR): Ish-Ministër i Bujqësisë [i PS-së] me biznese në fushën e prodhimeve ushqimore, ndërtim dhe eksport-import. Dyshohet për evazion fiskal me shmangien e taksave në vlerën e rreth 30 milionë eurove. Thuhet se ka lidhje të forta me grupe kriminale ne Shijak, Durrës e Vlorë”.

Raporti është hartuar rreth një vit më parë nga njësia për çështje politike dhe publike e OSBE-së mbi bazën e burimeve të hapura. Prania e OSBE-së thotë nuk përbën një qëndrim zyrtar të saj.

Por tërheq vëmendjen fakti se për mbrojtjen e Dukës nuk ka dalë në konferencë shtypi vetë kryetari i PR-së Fatmir Mediu, kur ka bërë “sherr” me PD-në për kandidaturën e Dukës si përfaqësues i opozitës për kryebashkiak të Durrësit. Selia e PR-së është mjaftuar me një deklaratë për mediet, ku vë në dukje:

“Qoftë ky dhe një material i brendshëm i kësaj organizate serioze, tregon papërgjegjshmëri, e cila bie në nivelin më të ulët e të turpshëm të ndonjë mediaje të shkruar, e cila manipulon fakte për qëllime politike dhe përfitimi. Deputeti dhe kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane, Agron Duka, nuk ka asnjë lidhje me akuza të përdala të cituara në të ashtuquajturin “Raport”. Ai është një njeri i ndershëm, i respektuar dhe me mbështetjen më të gjerë në qark. Si biznesmen ka qenë i ndershëm, në respekt të ligjit dhe të shtetit. Përsa u përket lidhjeve me interesa kriminale në Shijak, Durrës e Vlorë, këto janë pjellë e mendjeve të sëmura, të cilat kanë bërë këtë Raport, apo shpifin.

… Partia Republikane kërkon një qëndrim publik të përfaqësisë së OSBE-së, lidhur me këtë Raport paçavurë, si dhe u kërkon autoriteteve shtetërore që të mbajnë qëndrim për këtë çështje”.

/th. m. “DurresLajm”/