Pas fjalimit të tij në takimin me diasporën shqiptare në Selanik, kryeministri Edi Rama u është përgjigjur në një konferencë të shkurtër shtypi edhe mediave vendase që kanë qenë të interesuara sidomos për çështjen e pronave në Himarë.
“Para së gjithash, besoj se ka një keqkuptim total për pronat në Himarë, dhe ka shumë dezinformata në lidhje me çështjen e pronës, sepse nuk ka një gjë të tillë si problem specifik të pronave atje. Ka një çështje në gjithë Shqipërinë për pronat, të cilën po e përballojmë çdo ditë dhe po përparojmë.Dhe në fakt me kryebashkiakun e ri të Himarës po bëjmë shumë punë të mirë dhe brenda pak javësh do të përfundojmë regjistrimin e të gjitha shtëpive në të gjithë bashkinë. Kështu që gjithçka që kam lexuar, dhe kam lexuar shumë marrëzi në mediat greke për shpronësimet, apo disa devijime, nuk bazohen në fakte.Kjo është thjesht propagandë”.
Kryeministri shqiptar ka theksuar se pritet një marrëveshje mes kadastrës së Shqipërisë dhe asaj të Greqisë që po përparon në dixhitalizimin e kadastrës së saj dhe shkëmbimi i përvojës do të jetë shumë i rëndësishëm edhe për palën shqiptare. Sa I përket minoritetit grek në Shqipëri ai është konsideruar gjithmonë si një urë lidhëse shumë e rëndësishme mes dy vendeve ka thënë ai. I pyetur për eurodeputetin Fredi Beleri , Edi Rama ka theksuar se ka një këndvështrim që ndryshon nga ai I Greqisë.
“Drejtësia në Shqipëri është e pavarur dhe askush nuk mund të ndërhyjë në të, as qeveria shqiptare, as qeveria greke dhe sistemi i drejtësisë shqiptare ka marrë një vendim.Pra, ky vendim nuk është për diskutim, është vetëm për zbatim. Dhe një tjetër lajm i rremë është se unë refuzoj të takohem me të, sepse kjo nuk është e vërtetë. Unë thjesht nuk kam takime me eurodeputetët dhe kaq.Nuk i kam takuar europarlamentarët, jo tani, por as në të kaluarën.”
Kreu i qeverisë shqiptare ka thënë gjithashtu se ndjen keqardhje që zhurma dhe përmasat që ju dhanë çështjes Beleri të zhndërroheshin në problem mes dy vendeve, por kjo nuk e ka bërë atë të ndryshojë mendim për homologun grek të cilin e konsideron një lider shumë modern , inteligjent. dhe politikan i zoti me të cilin bashkëpunon mjaft mire pavarësisht se I perket një kahu tjetër politik.
‘Ajo që ndodhi nuk e ndryshon pikëpamjen time se Kyriakos është një lider shumë modern i Greqisë dhe unë e shoh atë si një person shumë inteligjent. Shumë i arsimuar, politikan shumë i zoti.Kështu që unë kam për të veç respekt dhe miqësi dhe ne jemi miq.Unë e konsideroj atë një mik të mirë. Sigurisht që ai është kryeministri i Greqisë dhe unë jam kryeministër i Shqipërisë dhe në këto poste mbizotërojnë interesat kombëtare apo çfarëdo që ju konsideroni interesa kombëtare mbi miqësinë dhe kështu është, por nuk shoh asnjë problem nga ana ime për të forcuar më tej këtë marrëdhënie me Greqinë.’
Është shumë e rëndësishme për dy vendet që kjo marrëdhënie të bëhet më e fortë në botën që jetojmë, ka thënë Rama duke përsëritur se Greqia ka qenë gjithmonë mbështetëse e integrimit europian të Shqipërisë ndaj dhe shpreson që nuk do të ketë probleme të tjera që do të dëmtojnë përsëri këtë miqësi dhe këto marrëdhënie të cilat duhet ti shohim gjithnjë me sytë e së ardhmes.