Jo çdo trend në TikTok është i vlefshëm apo i dobishëm, por ka një që ka fituar vëmendjen e ekspertëve të shëndetit dhe është jashtëzakonisht i lehtë për t’u përgatitur, uji me fara chia. Ato kokrriza të vogla që janë shndërruar në një nga superushqimet më të njohura në botë.
Është mirë të dimë se këto fara të zeza i përkasin familjes së nenexhikut. “Farat chia janë një superfuqi ushqimore e vërtetë,” thotë për revistën Vogue Dr. Anna Emanuel, mjeke holistike dhe drejtore në qendrën e mirëqenies Love.Life në Kaliforni.
“Ato përmirësojnë shëndetin e sistemit tretës dhe të zemrës, ndihmojnë në menaxhimin e peshës dhe ndihmojnë në stabilizimin e niveleve të sheqerit në gjak,” shton ajo.
Studimet tregojnë se të gjitha këto përfitime mund të arrihen duke konsumuar një deri në dy lugë gjelle fara chia në ditë.
Përdorim i thjeshtë dhe i gjithanshëm
Një tjetër përparësi e rëndësishme është fleksibiliteti në përdorimin e tyre. Farat chia mund të shtohen në smoothie, të spërkaten mbi kos ose sallata, apo të përdoren si agjent trashës në ëmbëlsira.
Megjithatë, edhe pse ekzistojnë shumë mënyra kreative për t’i përfshirë në ushqime, forma më e thjeshtë mund të jetë edhe më efektivja: disa lugë chia në ujë janë mënyra më e lehtë për të përfituar të gjitha vlerat e tyre.
Çfarë na ofrojnë farat chia?
Farat chia janë të pasura me acide yndyrore omega 3, të cilat trupi ynë nuk i prodhon vetë dhe duhet t’i marrë përmes ushqimit. Përfitimet e tyre janë të shumta: përmirësojnë funksionin e zemrës dhe trurit, mbështesin nyjet, shikimin, sistemin imunitar, madje ndihmojnë në reduktimin e ankthit dhe depresionit.
Gjithashtu, ato janë burim i shkëlqyer i proteinave – dy lugë gjelle përmbajnë rreth 5 gramë, çka është mbresëlënëse për përmasën e tyre.
Për më tepër, janë shumë të pasura me fibra. Studimet tregojnë se rreth 95% e njerëzve nuk konsumojnë sasinë e mjaftueshme. Një i rritur duhet të marrë rreth 30 gramë fibra në ditë, dhe dy lugë chia sigurojnë afërsisht një të tretën e kësaj sasie.
Uji me chia – “chia water”
“Sapo lagen, farat chia bëhen më të lehta për t’u tretur dhe përthithja e lëndëve ushqyese rritet. Ndryshe nga farat e linit, nuk është e nevojshme të bluhen përpara konsumimit,” shpjegon Dr. Emanuel. “Megjithatë, është e rëndësishme të dimë se farat chia, kur bien në kontakt me lëng, mund të zmadhohen deri në 10 herë më shumë se përmasa fillestare. Konsumimi i tyre në formë të thatë mund të shkaktojë shqetësime tretëse, apo edhe irritim ose bllokim në ezofag apo në stomak. Prandaj, rekomandohet që gjithmonë të konsumohen pasi të jenë zbutur mirë në ujë ose me sasi të bollshme lëngu.”
Si ta përgatisim
Për të përgatitur këtë pije, është e rëndësishme të respektojmë përmasat e duhura të ujit. Sasia duhet të jetë e balancuar – as tepër pak, as tepër shumë. Përbërja ideale është një gotë ujë me afërsisht dy lugë gjelle fara chia, të përziera shumë mirë. Sipas dëshirës, mund të shtoni edhe disa pika lëng limoni të shtrydhur freskët.





