Jo vetëm Jeton Lami, ka dyshime të forta se edhe një agjent tjetër i Forcave Operacionale të Policisë dyshohet se ka ndihmuar të shumëkërkuarin Ervis Martinaj, raporton Ora News.
Gjithashtu ka dyshime se Ervis Martinaj është ndihmuar edhe nga punonjës të komisariatit të Fushë Krujës.
Ndërkohë burimet nga grupi hetimor bëjnë me dije se agjenti i policisë, i cili u arrestua mbrëmjen e 23 gushtit 2022, që vepronte pranë forcave operacionale e ka transportuar Ervis Martinaj gjatë muajit qershorit në Lezhë e Kurbin e Shkodër.
Policia njoftoi sot (24 gusht 2022) arrestimin e Jeton Lamit pas hetimeve të kryera në kuadër të procedimit penal të vitit 2022, për veprën penale të rrëmbimit të personit, referuar nga strukturat hetimore të DVP Lezhë, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin.
Dyshohet se veç ndihmës që i ka dhënë të lëvizë gjatë muajit qershor të ketë dhënë dhe informata që kanë dekonspiruar operacionin policor.
“Nga hetimet e thelluara rezulton se 28-vjeçari, duke qenë punonjës policie, ka shpërdoruar detyrën duke përkrahur dhe transportuar një person shumë të kërkuar” informoi sot policia.
Ndaj tij Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin, me vendimin e datës 23 gusht 2022, ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.