E kthyer tashmë në një traditë të bukur, ekspozita e nxënësve të shkollës “Mihal Ekonomi” këtë fundjavë shënoi edicionin e saj të tretë.

Me një numër shumë më të madh pikturash, por ajo që është më e rëndësishmja me punime të realizuara me mjaft mjeshtëri, nxënësit këtë herë kanë surprizuar jo vetëm mësuesit, por edhe prindërit.

Aq shumë kemi punime saqë kemi mbushur të gjitha kolonat e galerisë. Kemi rritje të cilësisë dhe shtohen nxënës që vijnë me dëshirë të madhe për të pikturuar në pothuaje të gjitha llojet e stileve.”, u shpreh mësuesja Edmonda Çeçi.

E titulluar “Jo vetëm bardh e zi”, ekspozita e dhjetëra nxënësve nga cikli fillor deri në të mesëm kishte një synim të caktuar këtë vit.

“Jo vetëm bardh e zi, sepse një pjesë e punimeve janë në teknika me laps, por nga ana tjetër po të shihni ekspozita është e mbushur me piktura plot ngjyra, plot gjallëri sepse në fund të fundit bota nuk është vetëm bardh e zi por edhe me ngjyra”, tha drejtoresha e shkollës Dalina Beshiri.

Mes emocionesh të shumta, piktorët e vegjël e të rinj rrëfyen pak nga përkushtimi i tyre përgjatë një viti në lëndën e artit pamor.

“Unë më shumë kam pasqyruar abstrakte, por edhe piktuar që tregojnë modele dhe gjëra të ndryshme. Ngjyrat e mija të preferuara që kam përdorur dhe në piktura janë roza dhe bluja. Në vazhdim do të shikojmë dhe do të provojmë të bëjmë piktura sa më të vështira në çdo vit.”

“Mua më pëlqen shumë të pikturoj dhe është një kënaqësi shum e madhe që unë e shijoj. Ngjyra ime e preferuar është lejlaja, është një ngjyrë speciale për mua, e pëlqej shumë.”

“Mua më pëlqen shumë të vizatoj me grafikë dhe jo me ngjyra dhe dua të specializohem në këtë fushë”.

“Unë kam marrëdhënie të mirë me lapsat, sepse e kam strukturën më të thjeshtë”, u shprehën piktorët e vegjël.

Punimet e ekspozitës u admiruan nga shumë mësues dhe prindër. Këta të fundit u ndien krenarë për fëmijët e tyre, shumë prej të cilëve u vlerësuan me çertifikata mirënjohjeje.