Në mbledhjen e fundit për këtë vit të Këshilit Bashkiak të Tiranës opozita mungoi. Por kryebashkiaku Erion Veliaj akuzoi kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe deputeten Jorida Tabaku se kanë ndërtuar pa leje.
Për këtë Veliaj tha se do të përballen me drejtësinë.
Veliaj: Kam pritur prej kohësh që prokuroria të veprojë, nuk po vepron. Do të shkoj ta çoj vetë në Prokurori.Kryetari i bashkisë i jep leje vetes së vet, që nga kati i 12 të shkojë në katin e 13. Familja Tabaku ka marrë 21 340 metra ndërtim.
Ai u ndal dhe te protesta e studentëve, duke nënvizuar dialogun si të rëndësishëm për zgjidhjen e problematikave, ndërsa shtoi se bashkia do tu mundësojë të rinjve kushte dinjitoze për jetesë.
Po ashtu, kryetari Veliaj tha se në Tiranë nuk do të mbyllen vetëm pikat e basteve, por edhe strip-klabet, të cilat nga 1 marsi duhet të zhvendosen larg zonave të banuara.
Veliaj: Deri dje kemi pasur disa anomali ligjore dhe thoshte dikush unë kam leje mjedisore. Si mund të kesh leje mjedisore për gomisteri poshtë pallatit apo lavazh me presion te ballkoni i tjetrit.
Thoshte kam leje mjedisore përballë shkollës "Sami Frashëri" për klab striptist. Ça do me thënë kjo?Për sa kohë ky qytet ka zot dhe ka zgjedhur një këshill do të vendosim ne, sigurisht duke parë dhe pëlqimin e banorëve.
Të gjitha strip-klabet në Tiranë, afati është deri në 1 mars për t'u larguar nga zonat e banuara të qytetit të Tiranës. Nuk është normale që përballë çdo shkolle ka strip-klabe, ka ardhur koha t'i përzëmë nga qyteti. Me këtë vendim, është bashkia e Tiranës që jep autorizimin final për çfarëdolloj biznesi.





