Në ditën e çlirimit të Shqipërisë, një dhuratë fare e papritur për shqiptarët ishte edhe klipi i ri i Drake, “Polar Opposites”, i realizuar i gjithi me një tematikë dhe simbole shqiptare. Nga fabula e një zemre të thyer dhe konfuze deri te simbolet kuqezi në videoklip, Drake fitoi edhe shumë fansa të tjerë shqiptarë për “dhuratën” që u bëri në një ditë të veçantë.
Në fakt, nga lindi ky bashkëpunim? Pse shqiptar?
Mund të jetë edhe shqiptare… të paktën, vetë Drake këtë e thotë edhe në vargjet e këngës.
“Mariana ma theve besimin
Pse duhet të dëgjosh propagandën?
Sapo thyem akullin dhe tani të dyja po largoheni
U tregova i sjellshëm, nuk të kuptoj
Duhet ta lësh motrën tënde të jetë zëri i arsyes
Ose po e lexoj gabim mesazhin tënd
Ose thjesht veprimet e tua po më mashtrojnë”
Kështu thuhet mes të tjerave në vargjet e këngës dhe më tej, ai shton edhe “unë nuk e di si i bëjnë gjërat në Prishtinë, por di që tensioni këtu po rritet”.
Pas publikimit të këngës “Polar Opposites”, pjesë e albumit të fundit “For All the Dogs”, të gjithë fansat (kryesisht ata shqiptarë) kanë shumë pikëpyetje. Së pari, kush është Mariana dhe pas saj, edhe të gjithë shqiptarët me të cilët reperi duket se bashkëpunon prej kohësh.
Nëse Mariana mbetet në mesin e thashethemeve për një lidhje romantike me reperin e njohur, një lajm i vërtetë është që një ndër bashkëpunëtorët është emër shumë i njohur mes VIP-ave. Gentuar Memishi, një prej producentëve të Drake, është një shqiptar nga Kosova që prej kohësh punon me emrat më të njohur të muzikës në botë.
Përveç “Polar Opposites”, Genti ka realizuar edhe hitet e tjera të Drake si bashkëpunimin e tij me 21 Savage’s – “Privileged Rappers”, “Calling For You” dhe “What would Pluto Do”. Memishi numëron suksese edhe me artistët e tjerë ndërkombëtarë si ajo me reperin amerikan Kanye West për këngën “Ok ok” nga albumi “Donda”, si edhe bashkëpunimet me emrat e famshëm si: Lil Yachty, Doja Cat, Lil Yachty, Ty Dollar Sigh, Wiz Khalifa, J. Cole, DaBaby, “City Girls” e shumë të tjerë.