Në lagjen nr.16, pranë një qendre tregtare është ky vend depozitimi mbeturinash urbane për komunitetin e zonës.
Por aty gjen gjithëfarlloj objektesh, jo vetëm plehra.
Ndërsa një pjesë e mbeturinave urbane, të prodhuara nga komuniteti janë hedhur në kazanë, e gjithë hapësira përreth është kthyer në një vend grumbullimi sendesh e orendish shtëpiake, që banorët i flakin sepse nuk i duan më në banesë.
Krahas plehrave dhe mbetjeve plastike aty gjen tavolina, kolltukë e pirgje me inerte, duke e kthyer këtë hapësirë në një vatër të rrezikshme ndotjeje ambientale.
Situata duket se vijon prej kohësh dhe nuk është krijuar brenda 24 orëve.
Në një kohë kur shërbimi komunal lë në disa raste për të dëshiruar, çfarë mund të thuash në këtë rast për komunitetin që “kontribuon” në shtimin e pirgjeve me plehra.
Abuzimi me hedhjen e pajisjeve dhe materialeve të ndryshme në pikat e dedikuara për mbetjet familjare ndot edhe më shumë qytetin bregdetar, sidomos në lagjet periferike të tij. Për kryeqytetin shqiptar të turizmit, kjo është një nga panoramat më të trishta.
Ditë më parë, kryetarja e bashkisë Emiriana Sako njoftoi se venddepozitimet e mbeturinave, ku janë evidentuar raste të përsëritura të abuzimeve po pajisen me kamera sigurie për të dokumentuar shkeljet.
Jo më larg se 10 ditë më parë, policia e Durrësit nisi procedimin penal për dy shtetas që u dokumentuan me shkelje.





