Dhjetorin e kaluar, para Vitit të Ri, i kam kushtuar një editorial raportit të shqiptarëve me pushimet jashtë vendit, duke nënvizuar periudhën e shkurtër dhe kostot e larta të udhëtimit për kënaqësi që zgjasin pak ditë. Në atë shkrim evidentohej se kush shkon me makinë kalon më shumë kohë gjatë rrugës sesa në destinacionin turistik, me qëndrime vetëm prej një apo dy netësh. Nëse përkundrazi përdoret avioni, një pushim më pak se një javë nuk do të mundësonte amortizimin e shpenzimit të biletës, që në Shqipëri paraqet kosto të papërballueshme për atë që lëviz me familjen, sepse nuk ekzistojnë fluturime low-cost nga Tirana. Tani, nëse për festat e fund vitit është e kuptueshme që janë pak ditë në dispozicion – një faktor që në një farë mënyre justifikon raportin negativ “pushime të shkurtra-shpenzime të larta” – përkundrazi vera do të duhej të ofronte mundësinë e kalimit të një periudhe pushimi më të gjatë, të paktën dy apo tre javë, të dedikuara tërësisht udhëtimeve brenda ose jashtë vendit.
Por për shumicën e shqiptarëve edhe pushimet verore reduktohen në vetëm një javë. Agjensitë turistike konfirmojnë se shumë familje do të synojnë Turqinë, Greqinë dhe Malin e Zi, por do të qëndrojnë atje vetëm gjashtë netë. Dikush do të mund të thonte se kjo vjen nga arsye ekonomike, duke ditur se shumica e popullsisë nuk lundron në ar, dhe kjo mund të jetë pjesërisht e vërtetë. Megjithatë, kush zgjedh një pushim jashtë shtetit i përket zakonisht shtresës së mesme-të lartë dhe, duke parë se kosto e avionit nuk ndryshon nëse qëndohet në një vend për një javë, dy ose tre, këta turistë sigurisht do të mundnin të shpenzonin ndonjë lek më shumë për të shtuar ndonjë natë hoteli më shumë. Përkundrazi kënaqen me një javë arrati dhe pastaj kthehen në punë apo, nëse kanë akoma ndonjë ditë pushim, gjithsesi rimarrin rutinën e përditshme: kafe-shokët-muhabetet e punës-e diela në det me familjen.
Në përgjithësi, vërehet e përhapur një tendencë sociale që konsideron pushimet si një parantezë e shkurtër, njëfarë humbje e panevojshme e kohës, një “faj”, një “degjenerim borgjez perëndimor”, ashtu siç mësonte regjimi komunist. Sigurisht, për arsye historike dhe antropologjike, shqiptarët nuk i ndjejnë pushimet si një nevojë primare ose si një e drejtë themelore. Në vitin 1945, regjimi enverist kishte gjetur një popull objektivi kryesor i të cilit ishte mbijetesa dhe se, për arsye fetare dhe kulturore, bazonte jetën e tij mbi shtëpinë, mbi familjen dhe, maksimumi, mbi kafenenë e lagjes. Ishte një popull që kënaqej me pak, të cilit i mjaftonte vetëm një ditë e lirë në javë, sepse nuk do të kishte ditur si t'i kalonte dy ditë radhazi. Shumica e shqiptarëve që kanë jetuar nën komunizëm nuk ndjeu kurrë depresionin dhe sensin e burgimit pa zgjidhje të shkaktuar nga rutina e përditshme, madje, u bindën se monotonia përfaqësonte stilin e jetës më të mirë, më moral.
Tërmeti social-politik i vitit 1990, me hyrjen e “ekonomisë zero” dhe të liberizmit të egër, e futi Shqipërinë në një tjetër betejë për mbijetesë. Pjesa më e madhe e shqiptarëve nisi aktivitete private, të cilat automatikisht ulin mundësitë për pushime, sidomos kur janë pak fitimprurëse dhe kur veprohet në një situatë konkurence të çrregullt. Pjesës tjetër të popullsisë iu desh të përshtatej të punonte nën këta “pronarë” të rinj që, duke u sforcuar për të jetuar edhe ata vetë dhe duke mos njohur konceptin e kohës së lirë apo të argëtimit, sigurisht nuk ishin të gatshëm për t’i dhënë shumë të drejta “skllevërve” të tyre. Kështu, akoma sot, kemi një ushtri pronarësh të frustruar që nuk mund ta braktisin aktivitetin e tyre për më shumë se një javë në vit, nga frika e humbjes së klientëve të tyre, dhe pra derdhin frustrimin e tyre mbi punonjësit, edhe ata të detyruar të heqin dorë nga pushimet. Kush e di se çfarë mendojnë në Bruksel, ku në vitin 2010 u vendos liberalizimi i vizave për Shqipërinë me qëllimin e qartë për “t'i lejuar të rinjve shqiptarë të udhëtojnë për të hapur mendjen e tyre”. Por një udhëtim në pak ditë nuk hap hiçgjë, përveç një brimë në xhep…
Një udhëtim i bërë mirë vlen më shumë se të lexosh njëqind libra!
Në Italinë e viteve Shtatëdhjetë, e lodhur pas njëzet vitesh të turizmit masiv “i stilit Rimini”, shumë prindër i përsërisnin fëmijëve një frazë në dukje heretike: “Një udhëtim i bërë mirë vlen më shumë se të lexohen njëqind libra!”. Interesant, ky leksion për jetën vinte pikërisht nga familjet më intelektuale, ato që fëmijëve i bënin të lexonin shumë libra dhe pretendonin rezultate shkollore të larta. Por këta prindër ishin të vetëdijshëm se mund të lexohen njëqind libra për Firenzen apo për Venezian, për Francën apo për Greqinë, për Afrikën apo për Amerikën jugore, por asgjë nuk do të jetë kurrë si ta shohësh me sytë e tu dhe të përjetosh vetë ato vende dhe emocionet që përcjellin. Sepse vlera e udhëtimit qëndron pikërisht kur ke studiuar dhe ëndërruar një qytet apo një vend, dhe pastaj të gjendesh vetë i tëri, duke provuar valën emocionale të papërshkrueshme të një ëndrre që bëhet realitet.
Në shkollë, të gjithë fëmijët mbeteshin të magjepsur nga figura e Uliksit, udhëtari par excellence, heroi homerik i dënuar nga perënditë të endej për njëzet vjet përgjatë brigjeve të Mesdheut – dhe në fund çfarë është “Odisea”, përveç se një këngë dashurie për detin e mrekullueshëm që lag Europën jugore, ose bile “broshura e parë e promovimit turistik” e historisë së njerëzimit? Poeti Ugo Foscolo përshkruante Uliksin si “i bukur prej namit dhe prej fatkeqësisë”, sepse udhëtimet e gjata formojnë dhe pasurojnë personalitetin, duke e bërë tërheqës atë që ka patur mundësinë (ose në rastin e mbretit të Itakës, ka patur mallkimin) të jetojë larg atdheut, atë që ka ndryshuar falë këtyre udhëtimeve dhe ka diçka për t’i treguar atyre që kanë mbetur gjithmonë në shtëpi. Ja, udhëtimi duhet të jetë së pari dhe mbi të gjitha një ndryshim, një “plus” që i shtohet bagazhit kulturor dhe jetës së emigrantit, të marinarit, të studentit, të turistit dhe të atyre që tashmë refuzojnë etiketën e “turistit” dhe preferojnë të jenë quajtur “udhëtarë për pasion”.
Pra udhëtimi është një tejkalim i limiteve të së përditshmesh, është dalja nga burgu i rutinës dhe i të zakonshmesh. Jo rastësisht, në Këngën XXVI të “Ferrit”, Dante vinte në gojën e Uliksit një frazë që ka mbetur në vetëdijen e njerëzimit – të paktën të atij europian: “Vëllezërit e mi, që përmes njëqind mijë rreziqesh keni ardhur në këtë prag të vogël të fundit pranë Perëndimit; mos i mohoni shqisave tuaja atë që mbetet për t'u shikuar prapa në horizont, në botën e pabanuar. Konsideroni farën tuaj: nuk jeni lindur për të jetuar si kafshë, por për të ndjekur virtytin dhe diturinë”. Me këtë frazë, heroi i Homerit i bënte thirrje marinarëve të tij të mos kishin frikë për të sfiduar Kolonat e Herkulit (domethënë Ngushtica e Gjibraltarit), që supersticionet e epokës klasike dhe mesjetare i konsideronin të pacënueshme. Me shembullin e Uliksit, domethënë “për të ndjekur virtytin dhe dijen”, që nga shekulli i XIX familjet e borgjezisë së lartë amerikane kanë dërguar fëmijët e tyre në të famshmin “udhëtim për formim në Europë”, nganjëherë për të studiuar në universitetet e Kontinentit të Vjetër dhe nganjëherë thjesht për të njohur rrënjët e kulturës amerikane dhe pra të shijojnë atë antikitet, të atyre monumenteve e të atyre qyteteve historike që i mungojnë Botës së Re.
Në të njëjtën mënyrë, në vitet Gjashtëdhjetë e sidomos në vitet Shtatëdhjetë, stili i jetës “hippie” pushtoi botën perëndimore, duke shtyrë mijëra të rinj të shëtisnin Europën me autostop ose maksimumi me motoçikletë, dhe duke përhapur modën e udhëtimit në Indi, në kërkim të spiritualitetit oriental (shpesh i shoqëruar me abuzim marijuane dhe LSD), dhe të udhëtimit në Amerikën jugore, me natyrë politike, të frymëzuar nga miti i Che Guevarës dhe i campesinos revolucionarë. Ndërkohë, fillimet e globalizmit çonin inxhinierët dhe teknikët në transfertë në vende si URSS dhe Iran, nga të cilët ktheheshin të pasuruar prej kontaktit me kultura e sisteme politiko-fetare shumë të ndryshëm nga ato euro-amerikane. Qëndrimet e tyre jashtë shtetit vlenin me të vërtetë më shumë sesa njëqind libra… Dhe atëherë, me këto shembuj para syve, ata prindër intelektualë ftonin fëmijët e tyre të udhëtonin me sytë e hapur mirë dhe me trurin vigjilent, për të vëzhguar gjithçka, për të ekzaminuar detajet, për të çmuar artin, për të vërejtur zakonet, sjelljet sociale, mënyrën e veshjes, mobilimin, traditën e gatimit dhe marrëdhënien me ushqimin të banorëve të vendeve të vizituara, në mënyrë që pushimet të transformoheshin në një okazion të çmuar të mësuari.
Pushimi i kuptuar si udhëtim kulturor, aventure apo “formimi” është një koncept ende i huaj për mentalitetin e borgjezisë së porsalindur shqiptare. Sipas shqiptarëve, arsyeja e preferencës së tyre për destinacione turizmi masiv, për mega-hotele dhe për resortet artificiale është prania e fëmijëve, por kjo pikëpamje është kundërshtuar nga psikologjia dhe nga pedagogjia moderne, që shtyjnë në “zhytjen” e fëmijëve në art dhe kulturë që nga të vegjël, në mënyrë që të thithin vlerat e bukurisë dhe të antikitetit, për të mundur të zhvillojnë, kur të rriten, sens të mirë estetik dhe kritik…
Fëmijët janë me të vërtetë një pengesë për pushime kulturore?
Në Shqipëri, pushimi i kuptuar si udhëtim kulturor, aventure apo “formimi” duket se është një koncept ende i huaj për mentalitetin e shtresës së mesme dhe të borgjezisë së porsalindur. Zakoni i një jete të qetë rutinë, mungesa historike e eksperiencës turistike dhe dëshira postkomuniste për “luksin” i kanë çuar shqiptarët në përqëndrimin e aspiratave të pushimeve të tyre jo tek trashëgimia artistike, natyrore dhe monumentale të vendeve që vizitojnë, por vetëm tek komoditeti, tek hotelet me shumë yje, tek vaskat me hidromasazh, tek pishinat dhe tek resortet për turizmin masiv. “Qetësi” dhe “komoditet” janë bërë parullë e pushimeve shqiptare.
Sipas shqiptarëve, arsyeja e preferencës së tyre për destinacione turizmi masiv, për mega-hotele dhe për resortet artificiale është prania e fëmijëve: “Udhëtojmë me fëmijët, kështu që kemi nevojë për struktura që ofrojnë komoditetin maksimal, me drekë, darkë dhe me argëtime të posaçme për më të vegjlit”. Por atëherë si ia bëjnë hallit familjet amerikane, suedeze, norvegjeze, gjermane, daneze, franceze, të cilat udhëtojnë nëpër botë me tren ose me kamper, duke qëndruar në pensione të lira, në agriturizme apo në kampingje, duke mbajtur fëmijët e vegjël në shpinore dhe duke i mësuar atyre virtytin e adaptimit dhe të hapjes mendore? Në sytë e prindërve mesdhetarë (shqiptarë, italianë, spanjollë), këta baballarë e nëna që i bëjnë fëmijët e tyre të udhëtojnë në mënyrë “jo komode” janë “të degjeneruar”, por në të vërtetë nuk është kështu. Këta prindër anglosaksonë e nordikë duan thjesht të vazhdojnë të bëjnë atë që kanë bërë gjithmonë, domethënë të udhëtojnë e të jenë të lirë, edhe pse kanë fëmijë, dhe duan të edukojnë fëmijët e tyre me vlerën e udhëtimit.
Përveç komoditetit, shumë prindër shqiptarë mendojnë se nuk ia vlen të bësh turizëm kulturor me fëmijët sepse “janë tepër të vegjël për të kuptuar dhe për të vlerësuar atë që shohin”. Por edhe kjo pikëpamje është kundërshtuar nga psikologjia dhe nga pedagogjia moderne, që shtyjnë në “zhytjen” e fëmijëve në art dhe kulturë që nga të vegjël, në mënyrë që të thithin në nivel të pavetëdijshëm vlerat e bukurisë dhe të antikitetit, për të mundur të zhvillojnë, kur të rriten, sens të mirë estetik dhe kritik, duke dalluar të bukurën nga e shëmtuara dhe të mirën nga e keqja. Jo më kot, shkollat fillore të Europës perëndimore organizojnë udhëtime javore në qytete arti kombëtare, ashtu siç prindërit intelektualë çojnë fëmijët për weekend dhe për pushime verore në vende të çmuara në aspektin natyror e artistik – dhe jo në qendra tregtare apo në resorte turistike.
Dashuria për bukurinë, nga e cila rrjedh kurioziteti, dëshira për të zbuluar dhe pra për të udhëtuar me pasion, rriten tek ne që nga fëmijëria dhe na përçohen nga prindërit të cilët nga ana e tyre i kanë përjetuar këto eksperienca. Kujtimet tona të para kushtëzojnë shijen tonë, mënyrën tonë të të menduarit dhe të kuptuarit të jetës, ashtu si personaliteti jonë që formohet me imprinting dhe me vlera që kemi thithur brenda pesë viteve të para të jetës. Sot Shqipëria gëzon të gjitha kushtet për të edukuar fëmijët e vet me pushime kulturore dhe me udhëtime formuese. Kushtet ekonomike nuk mund të jenë një justifikim, sepse Europa dhe vendet e tjera ballkanike janë plot me turistë nga ish blloku komunist, të cilët vetëm për të vizituar ndonjë qytet arti dhe ndonjë vend të bukur përshtaten duke qëndruar në kamping apo në dhoma me 10 euro nata. E vetmja pengesë është shkurtësia skandaloze e pushimeve, ardhur prej kushteve të punës jo të rregullta, por besoj se, në çdo rast, një javë e kaluar në kontakt me artin dhe natyrën është më e pasur dhe formuese, për të gjithë familjen, sesa mega-hoteli i zakonshëm me lodra dhe kalim kohe të planifikuar nga të tjerët.