Cristiano Ronaldo është goditja më e madhe e Juves në dekadën e fundit, por bisedimet për realizimin e kalimit nuk u përqendruan vetëm te portugezi. Drejtuesit bardhezinj po punojnë për të sjellë në Torino edhe mbrojtësin gjermano-shqiptar Shkodran Mustafi.

Lojtari i Arsenalit konsiderohet me mjaft potencial dhe si një lojtar i cili mund të forcojë edhe më shumë prapavijën e klubit torinez. Sezoni i fundit nuk ishte shumë i mirë për 26-vjeçarin, i cili duket se me ardhjen e trajnerit të ri, Unai Emery ka më pak hapësira te “Topçinjtë”.

“Zonja e Vjetër” dëshironte që të afronte mbrojtësin uruguajan Diego Godin, por për t’ia rrëmbyer atë Atletico Madrid-it është e pamundur. Kështu, alternativa quhet Mustafi.

Sezonin e shkuar ai luajti 35 takime me klubin anglez në të gjitha kompeticionet. Një tjetër emër, që Juventusi po punon për të përforcuar repartin difensiv është edhe braziliani Marcelo. Cristiano Ronaldo dhe Marcelo kanë dhënë spektakël në krahun e majtë. Ata kanë kontribuuar shumë në trofetë e fituar të “Galaktikëve”.

Në Spanjë shkruajnë se ylli portugez dëshiron të bindë Marcelo-n ta ndjekë në Torino. Por edhe vetë mbrojtësi deklaroi se nëse CR7 nuk do të vazhdonte të ishte pjesë e Realit, edhe ai do të largohej.