Ardhja e trajnerit të ri Stavri Nica pritet të sjellë dhe ndryshime të rëndësishme në skuadrën e Teutës, që në merkaton e janarit do të përpiqet të riseleksionojë dhe njëherë grupin e lojtarëve.

Rezultatet e arritura në 16 javët e para të kampionatit nuk kanë qenë ato që priteshin në kampin durrsak dhe për këtë arsye, një pjesë e lojtarëve mund të largohen që në merkaton e janarit.

Kështu pritet një divorc me kapitenin Lena, por edhe Beqajn e Shehajn, ndërsa po shqyrtohet një ofertë e rëndësishme për Çyrbjen. Klubi po punon edhe në hyrje, teksa drejtuesit kanë piketuar disa emra të rëndësishëm për t’u afruar në merkaton e dimrit.

Aktualisht po bisedohet për afrimin e një qendërmbrojtësi, një mbrojtësi të djathtë dhe një mesfushori, ndërsa po punohet dhe për huazimin e Gripshit nga Skënderbeu, me këtë të fundit që mund të jetë një vlerë e shtuar për durrsakët.