Tiranë, 20 korrik 2014 –  Kanë shtatë vite e shtatë muaj lidhje bashkë, dhe do të lidhin kurorë më 7 shtator në Athinë. Një koincidencë e bukur numrash kjo për Joana Gjuzin, vajzën që spikati me lojën e saj në “Big Brother 6″. Ajo na tregon detajet e dasmës klasike, fustanin e nusërisë që ka zgjedhur për ditën më të veçantë të jetës, miqtë që ka ftuar, dhe planifikimin e fëmijës që natën e parë të martesës me Janin… 

Vendos t’i japësh fund beqarisë, me një ceremoni martese që do të organizosh më 7 shtator në Athinë. Si e ke ideuar atë natë? 
Realisht jam duke u marrë me përgatitjet e ceremonisë së dasmës. Shumë preokupim dhe lodhje për mua, sepse dua ta realizoj atë natë të veçantë, ashtu siç e kam ëndërruar që kur isha fëmijë. Do të jetë dasmë klasike, shik. 

Sa e gjatë është lista e të ftuarve, dhe ke bërë ftesa për ish-lojtarë të “Big Brother”? 
Deri tani janë 240 të ftuar, po lista ende s’ka përfunduar. Për sa u përket ish-lojtarëve të “Big Brother”, kam ftuar vetëm “BB”-istat që janë tipa, përveçse VIP-a. 

Anaidi do të jetë në ceremoninë e dasmës, duke pasur parasysh faktin që u ripajtuat së fundi? 
Jo, sepse s’kam fare më komunikim me atë njeri dhe as dua të kem. Ai është mosmirënjohës pa kufi, ndaj nuk e meriton respektin dhe mirësinë time. Është e vërtetë që ia ofrova miqësinë dhe kuptova që s’e meritonte. Ndaj u tërhoqa. Shkurt nuk i përket nivelit tim, pasi ai s’di të bëjë gjë tjetër përveçse të shesë imazhin e tij bukur, bukur, bukur. Shkurt person fals, i shtirur, e njoha më mirë pas “BB”. Jam pa fjalë… 

Tashmë je para një vendimi të rëndësishëm për jetën. Ndihesh e lumtur që po martohesh me Janin? 
Shumë e lumtur, pafundësisht. Është vendimi që kurrë s’do pendohem. 

Çfarë partneri është ai, të jep sigurinë e dëshiruar nga çdo vajzë? 
Jani është partneri që çdo femër e ëndërron ta ketë në krah. S’gjej fjalë ta përshkruaj. Është ideali im, personi që më plotëson atë pjesë që mua më mungon. 
Pas dasmës keni planifikuar sjelljen në jetë të fëmijës suaj të parë, apo për këtë hap s’ndihesh ende gati? 
Sigurisht që po. Ndoshta natën e parë të martesës në suitën me pesë yje do të nisim fëmijën tonë të parë. 

Po muajin e mjaltit ku do e kaloni? 
Tani për tani destinacioni është Hawai, e meritojmë se një herë martohemi. 

Jani është kështu një burrë i pasur? 
Është i pasur në shpirt dhe kjo ka rëndësi. Është shumë punëtor dhe për mua mjaftueshëm i pasur. Nuk më lë asgjë pa plotësuar. 

Dhe në fund mund të na zbulosh detajet e fustanit të nusërisë që do të veshësh atë natë? 
Fustani që kam zgjedhur për ditën time të veçantë është i markës Eli Saab, i 1920-s. Gjeta veten te kjo zgjedhje që bëra. 

 

“Xhuli ka të drejtë, Katerina ka qenë gjithnjë mes saj dhe Arditit” 

Disa ditë më parë, në media është shkruar për miqësinë e veçantë që u krijua mes Joanës dhe Katerina Shkëmbit të “BB7″. Por, pas një ftese që Joana i bëri në shtëpinë e saj në Athinë për pushime, ajo thotë se njohu Katerinën e vërtetë. Joana tregon eksperiencën personale me vajzën nga Pogradeci, pas sherrit të shumëpërfolur me Xhulin, arsyeja e të cilit ishte Arditi… 

Si u njohe me Katerinën, dhe çfarë të bëri ta afrosh kaq shumë në një kohë të shkurtër? 
Ne u njohëm te club “Trikotazh” në Tiranë, nëpërmjet Meridianit të “BB7″, dhe ishte Katerina që m’u ofrua. Unë si njeri “open mind” që jam mendova ta njoh. U preka nga fatkeqësitë që më tregoi se kishte kaluar gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës, ndjeva shumë keqardhje dhe thashë ta mbaj afër. I ofrova dhe mundësinë e festimit të ditëlindjes sonë bashkërisht te bari i miqve të mi, Dritan Zenunit dhe Erion Zeqirajt, por ajo krijoi debate me mua dhe ata, sepse nuk u tregua korrekte me pagesën, kështu që u detyrova t’ia paguaja unë, sepse më turpëroi. Po prapë më erdhi keq dhe bëra të pamundurën për t’i gjetur punë, ndërkohë që i hapa derën e shtëpisë në Tiranë dhe i paguaja të gjitha shpenzimet ditore. Pas kësaj fola me prindërit dhe vendosa ta ftoja në shtëpinë time në Athinë, ku atje tregoi fytyrën e vërtetë. 

Pse, çfarë ndodhi mes jush në Athinë? 
Filluam të dilnim, e shëtita gjithandej, mirëpo Katerina nuk kënaqej, pasi donte vëmendjen e meshkujve me zor. Ndërkohë që unë jam në prag martese, dhe nuk mund të bëja ato gjëra që ajo kërkonte, pra të kisha meshkuj të panjohur në tavolinë. Këtë gjë s’ia lejova asaj, sepse s’ia lejoj as vetes dhe as personit që kam dhe do të kem në krah. Që ditën e parë që erdhi, në darkë ftoi një mashkull që e njihte thjesht nga Facebook-u, dhe që nga ai moment ai mashkull u shndërrua në tutorin e saj, sepse me dy dhurata që mori nga ai, u shit. Ndërkohë që Katerinën e kisha ftuar në gjirin familjar dhe kisha përgjegjësinë me kë shoqërohej, por në momentin që isha kundër saj, në këtë pikë ajo shpërtheu ndaj meje me fjalor banal. Ende nuk më besohet shpërthimi i saj nervor nga kokteji pornostar, që mori në pikë të mëngjesit në plazh. Pastaj u zhduk për një javë dhe mënyra se si iku pa përshëndetur prindërit e mi, s’kam për t’ia falur kurrë. M’u duk xheloze për jetesën time në Greqi, dhe për marrëdhënien time me Janin. Që në momentin e prezantimit filloi ta shikonte çuditshëm Janin, me një sjellje tipike flirtuese. 

Po për afrimin e saj më Arditin të tregoi diçka? 
Si fillim dua të theksoj se Xhuli ka të drejtë në gjithçka që ka thënë për Katerinën. Katerina si gjithmonë ka qenë mes Arditit dhe Xhulit për t’i përçarë. Që kur ishim në Tiranë, ajo më thoshte se Arditi nuk e do Xhulin, sepse sipas saj është posesive, pra e lodhshme për tipin e tij. Nga ana tjetër, paralelisht flirtonte edhe me Anaidin dhe me Arditin. Madje një herë, diku nga mesi i qershorit, ajo ka udhëtuar në mes të natës për në Shkodër vetëm me Arditin, ndërkohë që ai ishte në lidhje me Xhulin. 

/panoramaplus/