Alkent Pozhegu mund t’ju duket një emër i padëgjuar, por në fakt ai është duke u përmendur nga mediet prestigjioze ndërkombëtare për shkak të punës së tij artistike.
Fituesi i disa çmimeve Guinnes së fundmi ka realizuar një mozaik me kokrra drithërash të kandidatit për President në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
“Alkent Pozhegu teksa i jep dorën e fundit portretit të Joe Biden të bërë me drithëra”, shkruan the Guardian.
Kanë qenë edhe medie të tjera si Sky News apo dhe The Telegraph që kanë postuar fotografinë e Pozhegut si një ndër më të mirat në datën 4 nëntor.
Mesa duket, Pozhegu ka qenë fatsjellësi i Joe Biden, i cili deri më tani po kryeson betejën përballë Donald Trump në zgjedhjet presidenciale.
Por ky nuk është punimi i fundit i Pozhegut. Ai mund të quhet padyshim artisti i presidentëve amerikanë pasi më parë ka realizuar portretin më të madh të krijuar me drithëra të ndryshme të Presidentit Donald Trump.
Për realizimin e mozaikut të Donald Trump, ai ka punuar rreth dy vite e gjysmë. Materialet që përdori janë: Misër, oriz, fara luledielli dhe grurë. Për mozaikun u përdorën 4000 kilogramë drithëra. Përmasat janë 20×26. 560m2. Titulli i fituar për atë mozaik të realizuar ishte ‘Largest Grain Image’.
Më parë, Pozhegu ka fituar Guiness për mozaikun me dy emrat e futbollistëve Cristiano Ronaldo dhe Messi. Në vitin 2017 me mozaikun e Rita Orës dhe së fundmi me mozaikun e Donald Trump. Pozhegu ka realizuar edhe një mozaik për këngëtaren me origjinë kosovare Dua Lipa.





