Një bashkim i trupit dhe mendjes. Këtë nënkupton joga, një disiplinë e lashtë, e cila në ditët tona ka marrë një përdorim gjithnjë e më të gjerë.
Shpesh përdoret si një metodë e mirë për t’u dobësuar, por joga është shumë më tepër sesa kaq.
“Joga ka pjesën filozofike, ka pjesën praktike, atë të frymëmarrjes, por ka dhe pjesën e meditimit. Është mirë që të gjithë këto komponentë të bëhen të gjithë bashkë dhe benefitet duken që në seancën e parë.
Personi që praktikon jogën ka qetësi psikologjike, trupi ndihet më i lirshëm, ndërsa energjitë ngrihen në nivel më të lartë. Motivimi dhe ana psikologjike janë shumë mirë, balancohen gjendrat tiroide etj”,– thotë instruktori Alban Muçaj për “DurrësLajm”.
Vitet e fundit, pjesëmarrja në kurset e jogës ka ardhur duke u rritur, por praktikante të saj në Durrës janë kryesisht vajzat dhe gratë. Nuk mungojnë edhe shtetaset e huaja që praktikojnë jogën në “Impact Dance Company”, në lagjen nr 11 të qytetit bregdetar.
Për instruktorin Muçaj nuk ka një kohë të përcaktuar se kur mund të nisë praktikimi i jogës, por sa më herët aq më mirë.
“Është shumë mirë kur niset që në moshë të re. Madje dhe fëmijët mund të nisin ta praktikojnë që në moshën 6-7 vjeç. Ka joga edhe për gratë shtatzëna, i ndihmon shumë në mbarëvajtjen e shtatzënisë. Ka joga edhe për të moshuar. Nuk ka limite në moshë”.
Praktikimi i rregullt i jogës dhe posturat e saj kanë një efekt të drejtpërdrejtë në psikologjinë e njeriut dhe për pasojë është një nga metodat më efikase për humbjen në peshë.
“Joga është mënyra më e mirë për të rënë në peshë. Rënia e peshës duke praktikuar jogën bëhet në mënyrë natyrale. Njerëzit mendojnë se duke bërë shumë palestër do të bien në peshë, por duke filluar nga mendja ne ulim nivelet e kortizolit në tru dhe sistemi vjen në harmoni dhe humbja e peshës vjen natyrshëm”.
Teknikat klasike të jogës datojnë rreth 5000 vite më parë në Indinë e lashtë. Ndërsa në kohët e sotme, atë mund ta ushtrosh në ambiente të mbyllura apo të hapura, në varësi kjo edhe të mundësive personale. A duhet ta praktikojmë jogën përditë?
“Është mrekulli nëse neve na jepet mundësia ta praktikojmë jogën përditë. Besoj se praktikimi i saj minimumi 3 herë në javë është shumë mirë, ndërsa kohëzgjatja nis nga rreth 30 minuta në ditë. Do mund të shohim ndryshime rrënjësore nëse përkushtohemi”,- thotë Muçaj.
Joga ndihmon trupin dhe mendjen e njeriut, që të përballojë ndryshimet emocionale, ato sezonale apo hormonale, të kontrollojë nivelet e stresit etj duke garantuar kështu një mirëqënie emocionale.
M.B.