WASHINGTON-Turnetë nëpër botë nuk janë diçka e re për John Kerrin, pesë herë senator dhe aktualisht kryetar i komisionit të jashtëm të senatit. Puna e ka çuar atë shpesh në zona konflikti dhe e ka mbajtur në kontakt të ngushtë me udhëheqës kudo në botë.
I lindur në vitin 1943, zoti Kerry u maturua gjatë presidencës së John Kennedit, që për të ishte burim i vazhdueshëm frymëzimi.
“Kur isha në shkollë të mesme, John Kennedy i bëri thirrje brezit tim që të angazhohej. Ishte fillimi i një rruge të gjatë, koha për të marshuar në favor të të drejtave të njeriut, të drejtat e votës, për mjedisin, për gratë, për paqen. Ne besonim se do të ndryshonim botën. Dhe e ndryshuam.”
Pasi mbaroi Universitetin Yale, zoti Kerry mori pjesë në luftën e Vietnamit në fund të viteve 60, ku u nderua me medalje. Pas kthimit, ai e dënoi luftën dhe ato që pa me sytë e tij në Vietnam.
“Trupa të copëtuar, vrasje civilësh, fshatra të rrafshuar.”
Fushata e tij kundër luftës dhe politika e qendrës së majtë nuk i pengoi ambiciet e tij politike. Një dekadë pasi u diplomua për drejtësi, në vitin 1984 zoti Kerry vuri kandidaturën për në Senat në shtetin e tij Massachusetts dhe fitoi.
Ndonëse shpesh i eklipsuar nga Edward Kennedy, një tjetër senator i këtij shteti, zoti Kerry u dallua në hetimet rreth çështjes Iran-Contra gjatë administratës së presidentit Reagan në fund të viteve 1980. Ai ka punuar për çështjen e ushtarëve të humbur në Vietnam, për mospërhapjen e armëve dhe për të luftuar ndryshimet klimatike.
Në vitin 2004, zoti Kerry vuri kandidaturën për president dhe fitoi emërimin e Partisë Demokrate.
“Unë e di se deri ku shkon fuqia jonë dhe e njoh fuqinë e idealeve tona. Ne duhet ta bëjmë edhe një herë Amerikën një fanar në botë. Kemi nevojë të na respektojnë dhe jo vetëm të na kenë frikë”.
Ai humbi por mbeti anëtar i senatit. Në vitin 2009, zoti Kerry kryesoi seancën e konfirmimit të sekretares së shtetit, Hillary Clinton.
“Hillary Clinton ka demonstruar inteligjencën për t’u përballur me çështjet e ndërlikuara përpara nesh.”
Analisti politik Thomas Mann thotë se zoti Kerry është i përshtatshëm për t’u bërë kryediplomati i Amerikës.
“Senatori Kerry është i mençur dhe me pervojë. Mendoj se ai do të jetë një diplomat dhe partner i efektshëm në formulimin e politikës së jashtme të administratës.”
Ndaj kandidaturës së zotit Kerry nuk pritet të ketë kundërshtime serioze nga kolegët e tij të senatit. Senatori republikan John McCain kohët e fundit la të kuptohet se konfirmimi i zotit Kerry do të ishte i sigurtë, madje ai iu referua Kerrit si “Zoti Sekretar”.