Kryeministri britanik, Boris Johnson është nën një presion në rritje për të zbatuar një bllokim kombëtar antiCOVID-19, ndërkohë që numri i rasteve të koronavirusit po rritet dhe autoritetet lokale po vazhdojnë të shprehen kundër sistemit të tij të ri me tre nivele.
Shumë spitale britanike janë mbingarkuar nga pandemia dhe së shpejti mund të mos jenë më në gjendje të trajtojnë fluksin e pacientëve me COVID-19.
Sipas sistemit të ri të Johnson, i cili përshkruan tre nivele të ndryshme kontrollesh, pothuajse 28 milionë persona po jetojnë nën kufizime të shtuara që nga e shtuna – më shumë se gjysma e popullsisë.
Këshilltarët shkencorë dhe partia opozitare e laburistëve kanë bërë thirrje për një bllokim kombëtar, mbylljen e vendit për vetëm disa javë, por Johnson ka përjashtuar çdo bllokim mbarëkombëtar.