Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 angazhim maksimal për të garantuar sundimin e ligjit në territor, dhe goditjen e veprimtarive kriminale në çdo formë të shfaqjes së tyre.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Joker”. Arrestohen në flagrancë 9 shtetas që u kapën në flagrancë duke organizuar lojëra fati në kundërshtim me ligjin, në një lokal në Sharrë.
Sekuestrohen 1 tavolinë pokeri me çipsa, aparate celulare dhe një pajisje DVR.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për një rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Joker”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:
– D. Xh., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, parashikuar nga nenet 197 dhe 198 të Kodit Penal;
– O. M., 35 vjeç, E. H., 23 vjeç, A. Xh., 30 vjeç, L. Q., 22 vjeç, E. Gj. 33 vjeç, E. H., 24 vjeç, E. K., 33 vjeç, dhe J. Ç., 39 vjeç, për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, parashikuar nga neni 197 i Kodit Penal.
Gjatë kontrolleve të ushtruara, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë duke luajtur lojëra fati në kundërshtim me ligjin, 9 shtetasit e arrestuar, në një lokal në administrim nga shtetasi D. Xh., në rrugën “Llambi Zeçishti”, në Sharrë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 tavolinë pokeri me çipsa, aparate celulare dhe një pajisje DVR.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thekson policia e kryeqytetit.