Në rrjetet sociale, Jola Hysaj ka reaguar ashpër ndaj situatës politike pas zgjedhjeve, duke akuzuar kryeministrin Rama për përdorimin e strategjisë së “përça dhe sundo”.
“ Në rrjetet sociale shoh një mllef të pafund – njerëzit shfryjnë ndaj njëri-tjetrit, me dhe pa të drejtë. Por në vend që të bëhemi bashkë për të mos njohur një farsë të qartë elektorale, ne ia drejtojmë gishtin njëri-tjetrit.
A mendoni se unë nuk kam rezervat e mia për fushatën, për procesin, për gjithçka që ndodhi? Por sot nuk është momenti të përpëlitemi mes vetes. Na vodhën ditën për diell! Dhe Rama, për të certifikuar këtë turp, po përdor armën e vet më të vjetër: përça dhe sundo!
A është interesi kombëtar më pak i rëndësishëm se një, dy apo tre karrige? U dogj e gjithë shoqëria, dhe ne përsëri heshtim — flasim nëpër dhëmbë, ankohemi nëpër kafe, por nuk ngrihemi. Kërkojmë llogari nga të tjerët, ndërkohë që lejojmë Zeqinet e radhës të japin shou!
Ndërkohë që kutitë u mbushën me fletë me apo pa vula, ju gjeni kohë të mllefoseni… por jo të veproni?
Unë do të prononcohem qartazi javën që vjen. Por sot, ju them kaq: përballë një masakre elektorale, nuk ka më vend për ego, për mëri apo për heshtje. Ka vend vetëm për qëndresë.”, përfundon ajo.





