Ekipi i mundjes “Jonas Wrestling” nga Durrësi ka lënë gjurmë në Kupën e Shqipërisë për moshat U9, U12 dhe U20, duke u paraqitur me një numër të madh sportistësh dhe duke arritur rezultate mbresëlënëse.

Në këtë garë të nivelit kombëtar, 30 sportistë përfaqësuan klubin durrsak, ndërsa në kategoritë U9 dhe U12 ata siguruan plot 17 medalje, nga të cilat 10 të arta, 6 të argjendta dhe 1 të bronztë.

Pika kulmore e suksesit ishte fitorja në kategorinë U20, ku “Jonas Wrestling” u shpall kampion i Shqipërisë, duke fituar për herë të parë në historinë e klubit këtë trofe prestigjioz. Ky sukses merr edhe më shumë peshë, duke pasur parasysh konkurrencën e fortë me ekipin e Tiranës, që tradicionalisht ka dominuar këtë kategori.

Ky rezultat i jashtëzakonshëm është fryt i punës së përkushtuar të trajnerëve Altin Kurti, Fuat Brahi dhe Elton Azuni, të cilët kanë udhëhequr sportistët me përkushtim dhe profesionalizëm, duke sjellë një rritje të vazhdueshme të nivelit të ekipit.

“Puna e palodhur, përkushtimi dhe këmbëngulja e sportistëve tanë kanë dhënë frytet. Kjo kupë është shpërblimi më i bukur për vitet e punës së vazhdueshme,” – u shpreh Kurti, pas përfundimit të garës.

Klubi “Jonas Wrestling” vazhdon të rritet çdo vit, duke dëshmuar se me pasion dhe përkushtim mund të arrihen rezultate të mëdha edhe përballë klubeve të mëdhenj të sportit shqiptar.