Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila kandidon në listën e hapur të PD-së, ka deklaruar se problemi më i madh i qytetarëve shqiptarë është vetë shteti.

“Nga çdo cep i vendit, thirrja që dëgjon është e njëjtë: taksa, taksa, taksa”, u shpreh ligjvënësja demokrate në një videomesazh.

Ajo prezantoi dy masat urgjente të programit të 100 ditëve të para: taksa e sheshtë 10% dhe Paketa Dhembshurisë për familjet në nevojë.

Sipas saj, këto janë hapat e parë për të prekur ekonominë reale, për të lehtësuar jetesën e familjeve dhe për të kthyer shtetin në shërbim të qytetarëve.

“Çdo qytetar që takoj, çdo dorë që shtrëngoj, çdo derë që trokas – më thotë të njëjtën gjë: na ka mbytur barra fiskale,” deklaroi Tabaku.

Ajo theksoi se opozita ka një program konkret dhe të ndershëm për të ndihmuar qytetarët në një kohë të vështirë ekonomike.