27 nëntor 2015 – Skënderbeu ka luajtur mirë, por ka pësuar dy gola në Stamboll, në ndeshjen e pestë në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Ka fituar Beshiktashi, me rezultatin 2-0, duke shuar edhe matematikisht çdolloj shprese të kampionëve të Shqipërisë për t’u kualifikuar më tej. Nëse e shikon ndeshjen në përgjithësi, mund ta përkufizosh: Lojën e bëri Skënderbeu, golat i shënoi Beshiktashi.
Trajneri i korçarëve, Mirel Josa, megjithatë, ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e të tijve, që ndeshje pas ndeshjeje në këtë kompeticion europian për klube kanë dëshmuar rritje.
“Humbja mbetet humbje dhe ajo të lë shije të hidhur. Më keq më vjen se u ndëshkuam nga pakujdesitë në situatat e ndryshme të lojës. Atëherë kur ishim më lart dhe po ngulmonim të shënonim, e kemi pësuar. Në nivele të tilla të futbollit janë pikërisht detajet, ato që bëjnë diferencën. Luajtëm një pjesë të parë me nivel shumë të lartë, gjatë së cilës Beshiktashi na rrezikoi vetëm dy herë. Në rastin e dytë shënuan edhe golin, ku ne duhej të kishim qenë më të kujdesshëm në markimin e kundërshtarit në zonë,” – thotë trajneri i bardhekuqve.
Skënderbeu krijoi volum loje, por edhe raste. Ai mund të kishte kaluar i pari në avantazh me anë të Salihit, por ka shpërdoruar me Olayinkan dhe Latifin në pjesën e dytë, kur po kërkonte barazimin.
“Nëse rastet e krijuara do t’i kishim shfrytëzuar, ju siguroj se Beshiktashi do të kishte mjaft probleme. Sikurse e patë, mund ta kishim goditur kundërshtarin me Salihin dhe Olayinkën. Kur po sulmonim e kërkonim barazimin, erdhi goli i dytë i turqve, që i vuri kapakun ndeshjen. Më tepër mundësi i dhamë Beshiktashit të na godiste në ndeshjen e parë, sesa në këtë sfidë. Nëse do të kishim barazuam me Latifin, do të kishte qenë shumë e vështirë për Beshiktashin. Ne jemi të eliminuar tashmë nga Liga e Europës, por do të luajmë edhe ndeshjen e fundit në fazës së grupeve, në shtëpi, ku presim Lokomotivën e Moskës. Premtoj që do ta vlerësojmë maksimalisht, qoftë për të rritur autoritetin e skuadrës, por edhe individualitetet, që ta ngjisim më lart prestigjin tonë. Beshiktashit i uroj të dalë kampion i Turqisë, ndërkohë që ne do të kemi mundësinë ta kthejmë vëmendjen te Superiorja, për të ripozicionuar veten aty ku e meritojmë,” – përfundon Mirel Josa.
/portali DurresLajm/