3gusht 2015 – Pas një skuadre të madhe, qëndron gjithmonë një klub i mirëorganizuar, por dhe një strateg i mirë. Ky është rasti i Skënderbeut, që pasi ka shkruar historinë në kampionatin shqiptar, me pesë tituj të fituar radhazi, tashmë pret të bëhet skuadra e parë e vendit tonë që merr pjesë në fazën finale Kupave të Europës.Meritë absolute në ecurinë e korçarëve ka Mirel Josa. Ecuria e Skënderbeut shkon paralel me faktin që në stol ka trajnerin më të suksesshëm shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Një ecuri mbresëlënëse, e nisur prej sezonit 2004-2005 me Tiranën. Me bardheblutë kaloi në turin e parë eliminator të Champions League bjellorusët e Gomel. Pas fitores 2-0 në trasfertë, Tirana i lejoi vetes luksin të mposhtej minimalisht në shtëpi. Kryeqytetasit u kualifikuan në turin e dytë, ku u ndeshen me hungarezët e Ferencvaros. Pas disfatës 2-3 në shtëpi, Tirana fitoi 0-1 jashtë fushe. Një rezultat që i kombinuar me 11-metërsh të shpërdoruar dhe shtyllë të goditur në kohën shtesë nuk mjaftoi.Në sezonin 2006-07  ecuria e suksesshme vazhdoi në Kupën UEFA. Tirana u kualifikua në turin e parë përballë Varteks, pas fitores 2-0 në shtëpi dhe barazimit 1-1 në Kroaci. Në turin e dytë, skuadra e Josës u përball me turqit e Kayserispor, duke humbur në të dyja sfidat: 0-1 në Tiranë dhe 3-1 në trasfertë. Në sezonin 2011-2012 tekniku tiranas vijoi ecurinë e suksesshme në krye të Vllaznisë.

Ai udhëhoqi shkodranët drejt kalimit të turit të parë në Europa League, pas fitores 1-0 në Maltë me Birkirkara, me golin e Xhevahir Sukajt, ndërsa sfida e kthimit në Loro Boriçi u mbyll në barazim 1-1. Më pas erdhi përballja me Thunin. Edhe pse zviceranët ishin favoritë në letër, Vllaznia ëndërroi. Barazim 0-0 në Shkodër dhe disfatë 2-1 në Zvicër. Drama e një goli të pësuar në kohën shtesë, kur skuadra ishte pranë kualifikimit.2013-2014 Josa e shndërroi Skënderbeun në skuadër protagoniste në Europë. Korçarët eliminuan në turin e dytë azerët e Neftçi, pas barazimit pa gola në Baku dhe fitores 1-0 në shtëpi, me golin e Orelesit në minutën e 116-të të kohës shtesë. Në turin e tretë, pas disfatës 3-0 në duelin e parë me Shakhter Karagandyn në Kazakistan, bardhekuqtë ishin pranë përmbysjes së madhe. 3 gola në 29 minuta lojë në sfidën e kthimit, por më pas dy gola të pësuar që shuan ëndrrën. Aventura vazhdoi në fazën play off të Europa League, ku ruleta e penalltive vendosi në favor të ukrainasve të Chernomorets Odessa-s. Sezonin e kaluar eliminimi në turin e dytë erdhi nga BATE Borisov. Bjellorusët vazhduan më tej në Champions falë barazimit 1-1 në Korçë. Në këtë edicion, Skënderbeu kaloi irlandezo-veriorët e Crusaders në turin e dytë: ku regjistruan edhe fitoren më të thellë në kupa, 4-1. Kampionët e Shqipërisë kanë hipotekuar kalimin e turit të tretë, me fitoren 2-0 në Moldavi përballë Milasmit. Faza play off në Champions është një hap larg, ndërsa pjesëmarrja të paktën në grupet e Europa League është e garantuar. Korçarët ëndërrojnë me Mirel Josën arritjen historike në futbollin shqiptar. Një ecuri që nuk është e rastësishme.