Drejtori rajonal i bankës Credins në Durrës, Aleksandër Josifi, ka pranuar të flasë lidhur me disa shqetësime me të cilat po përballet sistemi bankar. Josifi është ndër ekspertët dhe njohësit më të kualifikuar dhe me përvojë të gjatë pune. Drejtuesi i bankës Credins ka thënë se vendi ynë po përballet me afrimin e një krize shumë të thellë, krizë që ka nisur të shfaqet me shumë probleme edhe në sistemin bankar. Një sërë masash siç është kufizimi i kredive apo edhe ndërprerja e plotë, bllokimi përmes përmbarimit i pasurive të lëna peng nga kredimarrësi, shitja e pasurive të tundshme deri në shumën e kredisë e të tjera janë parë me sy skeptik nga shumë ekspertë. Josifi pohon se masa të tilla janë të pranueshme, por nuk  zgjidhin situatën. “Bankat shesin e blejnë para. Ne nuk jemi agjensi imobiliare që bllokojmë shtëpitë e lëna si garanci pasurore dhe i shesim më pas ato. Kjo e ndërlikon shumë funksionimin e sistemit tonë”,- thotë drejtori i Credins.

Cili është mendimi juaj për gjendjen e depozitave dhe kreditimit të bankave në këtë periudhë?

Unë marr përsipër të shprehem për ecurinë e bankës të cilën e drejtoj, pasi nuk më lind e drejta të bëj analizën e sistemit në tërësi. Megjithatë jam i gatshëm të deklaroj edhe disa probleme e shqetësime të cilat janë manifestuar. Credins ecën me ritme të kënaqshme. Të njëjtën gjë e them edhe për shumë të tjera. Megjithatë duhet të pranojmë dhe të themi shkoqur se ne po përballemi me një krizë të thellë. Vendi ynë shkëmbimet tregtare i ka me Italinë e Graqinë. Aty kemi edhe pjesën më të madhe të emigrantëve. Kriza e atjeshme ka ndikuar drejtpërdrejt. Kemi shumë më pak depozita, kemi më shumë të papunë.

Depozitat kanë rënë me 15 përqind dhe ky nuk është aspak sinjal pozitiv. Pra, kështu, kemi më pak klientë që ofrojnë kursimet e tyre. Nga ana tjetër vihet re tendenca e rritjes së numrit të kredimarrësve debitor, borxhlinj. Thënë ndryshe rriten kreditë e këqia. Ky është problem jo i vogël. Është shqetësim tepër serioz. Departamentet juridike dhe ata të rikuperimit të kredive po ndeshen me vështirësi të konsiderueshme. Çështja nuk është ta penalizojmë klientin. Ne në fund të fundit jemi të bindur se klienti që nuk shlyen kredinë ka një hall. Atij mund t’i kenë ndryshuar të ardhurat për shkak të lënies së një vendi pune, mund të ketë më pak xhiro në biznesin e tij, malli nuk i shitet dhe i ka mbetur stok, ka menduar se me linjën e hapur do të ketë mundësi fitimi, por ka ndodhur ndryshe.

Të gjitha janë të lidhura me faktorë të brendshëm të ekonomisë dhe me ato të jashtëm. Banka jonë ka logon “Flasim gjuhën tuaj”. Deri më tani jemi të kënaqur. Ndryshe nga disa banka ne u kërkojmë llogari analistëve tanë të kredisë përse nuk kanë rritur numrin e dhënies së kredive. Pra jo vetëm që nuk kemi ulur fondin, por përkundrazi. Kjo është politika që ndjekim ne. Dikush na ndjek, të tjerë kanë logjikën dhe linjën e tyre. Vjeljen qind për qind të kredisë së dhënë nuk është se e kemi të sigurtë, por është pjesë e ambicies sonë. Ekspertët tanë mendojnë se ulja e sasisë së fondit të kredidhënies ndikon negativisht, pasi kjo në ballafaqim me fondin e kredive të këqija favorizon të dytën. Këtë vit kemi qenë konstant, pasi nuk mund të riskojmë shumë.

Disa banka e kanë ngadalësuar proçesin e kredidhënies apo edhe e kanë ndërprerë…

Po është e vërtetë. Ka banka që kanë shtuar proçedurat për dhënien e kredive duke e ndërlikuar përfitimin e kredisë nga qytetari apo tregtari e biznesmeni, siç ka edhe të tjera që e kanë ndërprerë fare. Ata i bëjnë vet llogaritë, por një gjë dihet: ndërprerja e kredive e fut bankën në siklet të madh. Banka blen e shet para. Nëse depozitat bien dhe nga ana tjetër nuk jepet më kredi kjo e fut bankën në rrugë të vështirë. Ky fenomen është shfaqur dhe nuk mund të fshihet për asnjë lloj arsye. Duam apo jo kriza është e pranishme.

Ekspertët kanë në dorë të dëshmojnë se në ç’nivel paraqitet dhe të kërkojnë rrugët për ta shmangur. Sot pak gjasa ka të kemi ndonjë përmirësim për arsyet që thamë më lart. Tek ne është problem papunësia. Atëherë nuk ka kush të blejë e kush të shesë, cili të prodhojë e cili të tregtojë. Kreditë janë të ndryshme, nisin që nga minikreditë, kreditë individuale, tregtare dhe deri tek kredi biznesi në shuma të mëdha. Sistemi bankar ka ligjësitë e tij ndaj prishja e ekuilibrave e fut atë në rrugën e falimentimit. Kredi me probleme ka pasur gjithnjë. Rezultatet e vitit 2011 tregojnë se kreditë me probleme ne i kishim 9.8 përqind. Në tremujorin e parë të vitit 2012 kjo shifër shkoi në 10. 98 përqind.

Prej disa kohësh ka nisur të flitet shumë për kreditë e këqija. Realisht sa shqetësuese është situata?

Është çështje shumë serioze. Na duhet të pranojmë se depozitat kanë rënë. Nëse ndodh që numri i kredive të këqia rritet atëherë banka kërcënohet nga falimentimi. Ajo duhet të dalë e të mbledhë paratë e saj tek klientët që nuk shlyejnë detyrimet. Ka kredi të këqia që janë dhënë pa hipotekë, pa garanci. Atëherë nis një proçedurë e lodhshme. Klientit i sekuestrohen sende të tundshme, por shitja me ankand e tyre është praktikë që zgjat e zgjat. E njëjta vështirësi është edhe me kreditë që kanë pasur një garanci në hipotekë. Në këtë rast peng është lënë shtëpia, lokali, toka. Ato janë të bllokuara, por bankës i duhet të kthehet në agjensi imobiliare, të shpallë të dhënat, të kërkojë klientë, të konsumojë shumë energji. Nga e keqja kjo proçedurë duhet ndjekur, pasi nuk ka rrugë tjetër.

Mosrespektimi i kontratës së kredisë nuk është vepër penale, por kontrata është titull ekzekutiv. Nëse nuk shlyhet dosja kalon tek përmbarimi. Me privatizimin e shërbimit të përmbarimit gjyqësor punët kanë ecur shumë më mirë. Përmbaruesit privatë na kanë ndihmuar mjaft. Megjithatë ka mjaft banka, tek të cilat numri i kredive të këqia rritet muaj pas muaji. Nëse kjo do të vijojë punët e bankës shkojnë për keq. Në vitin 2008 kur shpërtheu kriza në Amerikë njerëzit tërhiqnin kursimet e tyre në Shqipëri pa asnjë shkak. Tani që kriza është në derën tonë konstatojmë më pak depozita, më shumë kredi të këqia, por është pozitiv fakti se nuk ka ndonjë vërshim të klientëve për të tërhequr kursimet. Kjo ka të bëjë me besueshmërinë e fituar dhe shpresën në një kapërcim të situatës së vështirë.

800 kredi të këqia numërohen vetëm për gjashtëmujorin e parë të këtij viti

2 fishohet numri i kredive të këqia krahasuar me gjashtëmujorin  e parë të 2011

15 përqind janë ulur depozitat bankare gjatë 2012, situata mund të përkeqësohet

50-100 dosje me minikredi të këqia  mbërrijnë çdo muaj pranë përmbaruesve privatë

11 kallëzime penale kanë depozituar përmbaruesit për kredimarrës mashtrues


 

Faktorët që thellojnë krizën

Ekspertë të bankave dhe përmbarues gjyqësor nuk e fshehin frikën e thellimit të krizës. Ata u referohen shifrave reale dhe jo atyre të bëra publike. Sipas tyre tendenca e përkeqësimit të mëtejshëm është e pashmangshme. Vendi ynë ka marrëdhënie tregtare me dy vende fqinje, Italinë e Greqinë, vende të përfshira në krizë të rëndë ekonomike, gjë që ndikon drejtpërdrejt edhe në ekonominë tonë. Veç kësaj, pikërisht në këto dy vende gjendet edhe numri më i madh i emigrantëve ekonomikë nga Shqipëria. Përqindja e emigrantëve të cilët kanë humbur vendet e punës sa vjen e rritet duke ndikuar dukshëm në rënien e depozitave në bankat e vendbanimeve të tyre të përhershme.

Këto fenomene aspak premtuese janë shoqëruar edhe me rritjen drastike të nivelit të papunësisë në zonat e mëdha urbane në Shqipëri. Përballë kësaj situate ekspertët e bankave nuk shohin asnjë dritë jeshile për të kapërcyer krizën. Edhe pse nuk është artikuluar ende nga qarqet institucionale, përfaqësues të bankave dhe agjensitë e përmbarimit e kanë thënë hapur se bankat po shkojnë drejt falimentimit. Disa drejtues banke kanë pohuar se prej dy vitesh nuk është më ajo përqindje e mëparshme mes totalit të depozitës dhe shifrave të kredidhënies. Ndryshimi i portofolit të kredisë nga totali i aktivit bankar është parë si një mundësi për të menaxhuar riskun dhe për alokimin e kapitalit. Burime të brendshme të bankave kanë pranuar se ka banka që e kanë ndërprerë përfundimisht dhënien e kredive, ndërsa pjesa më e madhe e tyre kanë ulur ndjeshëm përqindjen e fondit për kredi.

Zyrtarisht është pranuar se kreditë e këqia janë rritur, ndërsa ende nuk është deklaruar se është arritur piku kritik. Ndërsa institucionet e shtetit synojnë të jenë të rezervuara në deklarimet lidhur me problematikën e frikshme me të cilat po ndeshen bankat, në terren gjërat janë krejt ndryshe. Përmbaruesit gjyqësor marrin ditë pas dite dosje të reja të kredive të këqia, sinjal aspak premtues për rikuperimin e gjendjes. Burime shumë të sigurta thonë se ka muaj që kreditë për klientë në Jug dhe në Veri të Shqipërisë jepen me pikatore, ndërsa kreditë e këqia janë nga subjektet private apo kredimarrës që operojnë në fushën e biznesit, bujqësi, ndërtim, peshkim, tregti dhe shërbime të ndryshme.