Andi Bushati

19gusht 2015 – Opozita e opozitës së Bashës duket se po bën një kapërcim 180 gradësh duke e sulmuar kreun e ri të PD-së, fillimisht nga pozicione të të moderuara dhe tani pas humbjes së zgjedhjeve lokale, nga një këndvështrim radikal.  Pra në më pak se dy vite lideri i ri i PD-së e ka parë veten të shigjetohet në të majtë dhe në të djathtë të vet. Fillimisht qenë një grup deputetësh, të cilët duke mos miratuar mënyrën se si ai u katapultua në krye të partisë, mënyrën se si ai afroi njerëzit e vet dhe shmangu të vjetrit, paternalizmin që tregonte Berisha dhe mungesën e debatit të brendëshëm, artikuluan pakënaqësitë e para. Thelbi i lëvizjes së tyre ishte fundi i bojkotit, kthimi në parlament dhe një drejtim më kolegjial i partisë. Pra ata zgjodhën pak a shumë pozicione të moderuara për ti’u kundërvënë një Bashe bojkotues, protestaxhi dhe të ashpër. Kjo histori zgjati pak a shumë deri me afrimin e zgjedhjeve lokale kur të gjitha diskutimet brenda pakicës së djathtë ndaluan si me sustë.

Pas disfatës së këtyre zgjedhjeve dhe humbjes dërrmuese në skenë po del një lloj tjetër kriticizmi. Ai po gëlon kryesisht në mediat pro PD-së ndërsa politikisht flamurin e tij po e mban Jozefina Topalli.

Ish kryetarja e kuvendit ka publikuar sot një status ku tenton të japë një imazh të kryetarit të opozitës që rri e ngrohet në diell, që bën pushime të gjata në këtë verë të nxehtë, ku shumica po bën batërdinë.  Sulmi është i egër dhe jep idenë e një lidershipi që qëndron memec përballë problemeve të mëdha që ka vendi. Po ti shtosh atij edhe disa deklarata të tjera të Jozefinës, që kundërshton opozitën europianiste, që i bën thirrje elektoratit “të ngrihen si luanë” për ta rrëzuar këtë klikë, ideja është edhe më e qartë: Topalli po bëhet gati (ndryshe nga kritikët e moderuar) që të forcojë pozicionin e saj në PD, të bëhet përfaqësuesja e krahut radikal dhe kështu të fitojë më shumë forcë dhe peshë brenda familjes së saj politike.

Deri këtu përpjekja e saj është legjitime. Edhe plani duket ambicioz. Për sa kohë që zullumet e pushtetit rriten, për sa kohë që zemërimi i popullit opozitar shtohet, korifejtë e radikalizmit bëhen gjithnjë e më të pëlqyeshëm.   

Por pyetja që shtrohet është: a e dëmton një lloj kundërshtie e tillë Lulzim Bashën?  Prapa kësaj përplasje në dukje të madhe, fshihet në fakt një përgjigje e thjeshtë.  Jo, Basha nuk ndihet i kërcënuar nga ky lloj kriticizmi. Në partitë tona ku lideri e ka në dorë të bëjë dhe shiun dhe diellin, zëra të tillë nuk e pengojnë aspak. Dhe për të vërtetuar këtë na mjafton historia jonë e afërt.

Po të kujtojmë mandatin e parë të Edi Ramës në opozitë, ai u kritikua shumë nga brenda partisë dhe nga mediat pranë saj si i moderuar. Me “politikën e tij të re” përtej së majtës dhe të djathtës ai bëri shumë armiq, për afërsinë me të cilën i rahu shpatullat Berishës, pas Gërdecit, për mënyrën se si bashkëpunoi për ndryshimet kushtetuese, për memecërinë që tregoi ndaj denoncimit të klientëve të pushtetit.

Por kur ai vendosi pa shkaqe reale dhe për interesin vetjak,  të luajë radikalin, ai i fashiti të gjithë këto zëra. Rama i bojkoteve, i protestave të dhunshme dhe i 21 janarit, nuk u la më asnjë vend kritikëve të tij të ashpër.

Ndaj dhe pozicioni ekstrem për të sulmuar Bashën nuk e dëmton aspak atë. Ai e ka në dorë kur të dojë, të luajë të fortin, të egrin dhe paqeprishësin. Mjafton të vendosë ta bëjë këtë.

Në këtë kuptim edhe imazhi që do të skalisë Topalli, ai një lideri që rri me robabanje ndërkohë që demokratët janë bërë gati “të luftojnë si luanë” është efemer dhe i përkohshëm.  Ai nuk cenon Bashën. Ai shërben thjeshtë për të ngulitur në zemrat e luftëtarëve edhe emrin e Topallit. (lapsi.al)